Lidhje

Humbja, Basha: Ngrij funksionet si kryetar


Në Shqipëri, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi sot në mbrëmje kishte vendosur të ngrinte me efekt të menjëhershëm të gjitha funksionet e tij si drejtues i partisë duke ja deleguar ato dy nënkryetarëve dhe Sekretarit të Përgjithshëm, për të organizuar garën për kryetarin e PD-së sipas parimit një anëtar një votë, në të cilën ai qartazi theksoi se do të përfshihet për të kërkuar sërish drejtimin e partisë. Pak përpara daljes së tij publike, ndërsa procesi i numërimit të votave, sapo kishte përfunduar, anëtarë të ndryshëm të forumeve drejtuese të partisë, përmes dy deklaratave të ndryshme kërkuan dorëheqjen e tij të menjëhershme, pas humbjes së thellë që opozita rregjistroi në zgjedhjet e së dielës duke zbritur poshtë kuotave të vitit 2013, me 28 përqind të votave dhe me 43 vende në parlament, 7 më pak se aktualisht, pa llogaritur dhe tre mandatet e Partisë Republikane.

Por zoti Basha këmbënguli në mbrojtjen e “projektit për Republikën e re” mbi të cilin ndërtoi fushatën elektorale. “Këtë projekt timin - saktësoi ai - do ta vlerësojnë demokratët në një garë të ndershme dhe të barabartë. Gjëja më e lehtë do të ishte të largohesha, por mbaj përgjegjësi jo duke ikur por duke luftuar deri në fund me ta dhe për ta”. Duke ju përgjigjur atyre që kërkuan largimin e tij ai tha se “demokratët e shqiptarët meritojnë një bilanc të plotë e një ballafaqim mes atyre që luftuan me mish e shpirt dhe atyre që u ngritën kundër, sapo humbën kolltuqet. Se ku kam gabuar nuk e përcaktoj unë, dhe as ata, por demokratët”, u shpreh zoti Basha.

Sipas kryetarit demokrat, rezultati i zgjedhjeve ishte ndikuar nga paratë e pista dhe presioni i pushtetit. “Në zgjedhjet e 25 qershorit diçka tjetër ndodhi. Megjithë përpjekjet që bëmë, me betejën pa kompromis , me imponimin që i bëmë Ramës, sërish krimi e paraja e pisët, presioni i Shtetit nuk u ndal. Blerja e votës zëvendësoi alternativat, me para të pista droge e korrupsioni qeveritar. Kjo ishte një garë e pabarabartë po një garë ku nuk kam ndërmend të konkurroj me të njejtat mjete. Ajo që ndodhi ishte triumf i paligjshëmrisë. Mandatet për shumicën kanë dalë nga kthinat e krimit dhe bandave”, u shpreh zoti Basha, duke mos deklaruar megjithatë nëse do t’i njihte apo jo zgjedhjet.

Deklarata e kreut demokrat u pasua nga reagime të ashpra prej disa emrave të njohur të kësaj partie, duke i mëshuar faktit se vendimi i tij për “ngrirje të funksioneve” nuk ka asnjë bazë statutore. Majlinda Bregu e cila ka kritikuar dhe më parë qëndrimet e mbajtura nga zoti Basha, arsye për të cilat shumë besojnë se u bënë shkas për lënien e saj jashtë listës së kandidatëve për këto zgjedhje shkruan në rjjete sociale se “"Ngrirja" nuk eshte as akt juridik as statutuor dhe as politik!”. Sipas saj ai “sot duhet t' i dilte për Zot, Dorëheqjes së tij si përgjegjësi i vetëm për katastrofën e pamerituar në të cilën gjendet sot PD! Si përgjegjësi i vetëm për shkatërrimin e strukturave dhe mospërfilljen e forumeve vendimarrëse të PD! Por prej sot,duhet t'i dalë për Zot dhe akuzave plot dramacitet infantil për kurthe e armiq klase!”, shkruan zonja Bregu.

Me tone më të ashpra është shprehur zonja Jozefina Topalli e cila së bashku me zotin Arben Imami, menjëherë pas shpalljes së listave të kandidatëve, kërkuan shkarkimin e kryetarit të partisë. “Në një situatë si kjo, kur Lulzim Basha nuk pranon të marre as përgjegjësinë që i takon, siç ndodh në çdo vend të botës perëndimore, (pasi e çoi buzë greminës PD-ën), reagimi i tij është hileqar, tallje, tinzi, banalitet dhe papërgjegjshmëri e frikshme që mund të çojë në asgjësimin total të PD-ës.

Në këto kushte – vijon zonja Topalli - nëse Basha nuk jep dorëheqjen e parevokueshme, demokratët duhet të marrin fatin në dorë, me protesta dhe forma të ndryshme demokratike , me synim kthimin e PD-se demokratëve”, thekson zonja Topalli.

E njejta thirrje vjen dhe nga deputeti Genc Ruli, i cili deklaroi tërheqjen e tij nga rikandidimi për deputet, pak përpara se zoti Basha të shpallte listën e tij. Zoti Ruli e akuzon kryetarin e partisë se ka shmangur strukturat e partisë duke I zëvendësuar ato ma familjarët e tij. “Ky sot duhej vetë të deklaronte largimin pa asnjë kusht nga drejtimi i partisë që e çoi në greminë. Ju them atyre që ende e duan PD-n e jo që ende ju duhet PD-ja , në qoftë se ai nuk jep dorëheqjen vetë deri nesër, shkoni te selia e PD e përzëreni atë, gruan e kunatin, siç përzuri Jezusi tregtaret nga Tempulli”, shkruan zoti Ruli.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG