Lidhje

Zgjedhjet, socialistët festojnë fitoren

  • Armand Mero

Në Shqipëri, partia socialiste festoi sot në mbrëmje fitoren e saj të thellë në zgjedhjet e së dielës, ku ajo jo vetëm u konfirmua si forca e parë më e madhe e vendit, por mori një mbëhstetje që Ii lejon të ketë e vetme kontrollin e shumicës. Në përfundim të numërimit të votave, Partia Socialiste rezulton të ketë marrë 48 përqind të votave, dhe 74 mandate, 9 më shumë se sa fitoi në zgjedhjet e vitit 2013.

Në fjalën e tij gjatë një mitingu pranë selisë së partisë së tij, kryeministri Edi Rama tha se besimi që I dhanë shqiptarët është “një barrë e madhe përgjegjësie. E imja në radhë të parë. Për të mos harruar, në asnjë minutë të katër viteve të ardhshme, se shqiptarët nuk zgjodhën për Shqipërinë që kemi, por për Shqipërinë që duam. Për të mos harruar se, në vend të një koalicioni të radhës mes partive që ndajnë tepsinë e pushtetit, shqiptarët kanë zgjedhur koalicionin tonë drejtëpërdrejtë me ta; jo që ne ta marrim atë tepsi të vjetër të gjithën për vete, po për ta çuar për skrap njëherë e përgjithmonë!”.

Kryeministri Edi Rama i mëshoi fort idesë për një qeverisje në shërbim të të gjithëve. “Populli ka zgjedhur Partinë Socialiste, për ta udhëhequr vendin në këtë mision si fuqi e vetme qeverisëse. Dhe duke e pranuar me emocion dhe përulësi këtë zgjedhje, ne do të qeverisim me forcën e shembullit për të gjithë, jo me shembullin e forces, kundër të tjerëve. Sfidat e Shqipërisë sot, nuk janë sfida socialiste apo sfida demokrate, por janë sfida shqiptare. Janë sfida të vjetra e të reja, të të njëjtit atdhe, të të gjithëve pa dallim”.

Në fjalën e tij zuri një vend me peshë nevoja e raporteve të reja mes forcave politike, në shërbim të interesave të vendit. “mos e dhëntë Zoti që këtë besim ta marrim si një kupë futbolli e të mos kuptojmë, që të gjithë, se nga sot, prioriteti ynë i parë duhet të jetë reflektimi për sa shumë kemi për të ndryshuar, korrigjuar, përmirësuar, tek vetja jonë dhe në punën tone në radhë të parë. E po ashtu, mos qoftë e thënë, që konkurentët tanë, të zgjedhur prej atyre që nuk na zgjodhën ne, t’i shohim si armiq të mundur dhe t’i trajtojmë si të tillë. Ne nuk kemi fituar një kampionat, po kemi marrë një detyrë shumë të vështirë. Ata nuk kanë humbur një kampionat, po kanë marrë një tjetër detyrë aspak të lehtë”.

Zoti Rama këmbënguli gjithashtu në nevojën e bashkëpunimit me opozitën. “Dua t'u them udhëheqësve të partive të opozitës, se fushata ka mbaruar. Shqiptarët na kanë shikuar, na kanë dëgjuar, na kanë duruar për një kohë më të gjatë se zakonisht këtë herë dhe e kanë bërë zgjedhjen e tyre. Tani është koha për të vënë veten tonë në dispozicion të tyre dhe Shqipërinë përpara partisë; prioritetet e vendit, përpara interesave të grupimeve tona politike dhe shqiptarët, pa dallim, përpara dallimeve politike apo hendeqeve tradicionale, ose të porsahapura mes nesh. Eshtë koha të gjejmë forcën e arsyes për të punuar më shumë së bashku, në interes të njerëzve dhe t’u marrim atyre më pak kohë me llogjet e katundit tonë politik, që nxjerrin në pah pa kriter e pa karar, veç dasitë tona”.

Kryeministri tha se i qëndronte zotimit të marrë në marrëveshjen me kreun e opozitës Lulzim Basha. “Marrëveshja ime politike me kryetarin e opozitës, pas një periudhe të zgjatur konflikti politik, ku u rrezikuan vetë zgjedhjet dhe stabiliteti demokratik i vendit, nuk ishte perfekte. Por, siç kam besuar deri dje, besoj edhe sot se ajo marrëveshje ka të gjithë potencialin për të mos u fashitur si ëndrra e një nate vere, në një Shqipëri, ku qeveria dhe opozita janë të ndara në llogoret e tyre politike, po duhet të jenë të bashkuara për interesat kombëtare dhe politike të vetë Shqipërisë, në rrugën për Europën që duam”. AI shtoi megjithatë se “natyrisht, duke pasur një fitues kaq të qartë pas përfundimit të zgjedhjeve, do të duhet pak kohë për të parë e kuptuar nëse fryma e marrëveshjes që shpëtoi zgjedhjet dhe solli një klimë të pazakonshme qetësie në vend, nuk është tretur bashkë me pritshmërinë e natyrshme të liderit të opozitës për të dalë fitues në këto zgjedhje. Po, unë dua ta rikonfirmoj publikisht, dëshirën për ta pasur marrëveshjen politike të 18 majit, një busull orientuese të marrëdhënieve të qeverisë së re me opozitën e re. Duke shprehur këtu vullnetin për ta respektuar atë më tutje, pa asnjë presje, dua ta falenderoj sot Lulëzim Bashën për faktin se në 18 maj vuri Shqipërinë të parën!”

Në zgjedhjet e së dielës, Partia Demokratike, mori 28 përqind të votave dhe 43 mandate, 7 më pak se në 2013. LSI u rikonfirmua forcë e tretë në vend, me një rritje si në përqindje ashtu dhe në mandate, e do të ketë në parlamentin e ri 19 vende, 3 më shumë se aktualisht. PDIU, fitoi 3 mandate, ndërsa kryetari i saj Shpëtim Idrizi, nuk arriti të siguronte një vend, në garën që u zhvillua në kryeqytet. Deputeti Tom Doshi do të rikthehet në parlament, falë votave të grumbulluara personalisht në Shkodër, ndonëse nën siglën e Partisë Socialdemokrate.

E para që u prononcua zyrtarisht për rezutatin, ishte sot LSI-ja përmes kryetarit të saj, Petrit Vasili. LSI-ja do të kalojë në opozitë, pasi për 8 vjet ndau pushtetin në fillim me demokratët e së fundmi në qeverinë e zotit Rama, ku ministrat e saj vazhdojnë të jenë ende pjesë. “Mijëra e mijëra burra e gra, jo vetëm votuan LSI-në, por votuan më shumë se kaq për t’i ngarkuar asaj një mision historik, i cili ka të bëjë me bërjen e Shqipërisë me një opozitë të vërtetë në këtë vend”. Zoti Vasili foli për një proces zgjedhor më të shëmtuarin sipas tij, për shkak “të strategjisë së terrorit të lëshimit të miliona parave të pista, të bërjes njësh të Policisë së Shtetit dhe pjesë e bashkë-ideuese, bashkëvepruese e kësaj strategjie terrori ka në krijimin e një klime të tillë”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG