Lidhje

PD hap garën për kryetarin e ri


Në Shqipëri, Partia Demokratike vendosi sot të shpallë zyrtarisht garën për kreun e ri të partisë, e cila pritet të zhvillohet me 22 korrik. Vendimi erdhi pasi mbrëmë kreu demokrat Lulzim Basha deklaroi ngrirjen nga të gjitha funksionet organizative si kryetar i partisë dhe delegimin e tyre dy nënkryetarëve dhe sekretarit të përgjithshëm, për të organizuar garën sipas parimit një anëtar një votë. Deklarata e zotit Basha u bë gjatë daljes së parë publike për rezultatin e zgjedhjeve të së dielës, që shënoi një humbje të thellë të opozitës.

I pari emër që vendosi menjëherë të përfshihej në garë ishte Eduard Selami, ish drejtuesi i Partisë Demokratik dhe deputet i saj. Në një dalje publike sot në mbrëmje, zoti Selami zyrtarizoi kandidaturën e tij. “Eshtë për të ardhur keq që forcën e parë politike ku unë kam patur kënaqësinë të jemi ndër themeluesit e saj, koha e ka lënë pas. Dhe këto zgjedhje treguan pikërisht këtë. Prandaj PD-ja dhe demokratët duhet të ecin më hapin e kohës dhe duhet t’i paraprarijnë. Unë jam shumë i sigurt që kjo do të vijë, dhe ky do të jetë dhe kontributi im në këto zgjedhje për kryetar të PD-ës”, u shpreh zoti Selami.

Ai tha se Partia Demokratike, ka nevojë për rinovim. “Unë mendoj se këto janë periudha sa të vështira po aq të mbarsura me mundësi, për një reformim dhe rinovim të vonuar të PD-ës, për ta ngritur atë aty ku janë vlerat më të mira të demokracisë dhe të partive politike bashkëkohore”. Sipas zotit Selami “ajo çka është më kryesorja është një analizë e drejtpërdrejtë, e sinqertë, e hapur, brenda familjes politike, duke parë në radhë të parë gjërat që në bashkojnë se sa ato që na ndajnë”.

Ndryshe nga shumë figura të PD-ës, zoti Selami tha se “do të ishte e padrejtë të thuash se kjo humbje është vetëm e zotit Basha. Por ka qenë mungesa e shpresës dhe besimit që na solli deri këtu”. Megjithatë ai nuk u pajtua me vendimin e zotit Basha për “ngrirjen e funksioneve të tij organizative si kryetar”. “Në vend të zotit Basha do të kisha dhënë dorëheqjen për një garë të barabartë. Kjo është zgjidhja e tij, nuk dua të paragjykoj. Unë do të jem bashkëpunues që të dalim më të fortë”, theksoi ai.

Pak minuta pas konferencës së shtypit, zoti Selami u ndesh me një incident, ku sipas mediave, shoferi i njërës prej deputetëve të PD-ës e ka kërcënuar duke i thënë se ai nuk duhet të shkelet me në PD. Për incidentin, i cili ndodh në mjediset e selisë së PD-ës, me të parin kandidat për garën për kryetar të partisë, nuk ka patur asnjë reagim zyrtar nga dretuesit demokratë.

Situata në forcën kryesore të opozitës vijon të jetë e tensionuar. Një numër anëtarësh të forumeve drejtuese të Partisë i kërkuan dje publikisht zotit Basha, dorëheqjen e menjëhershme nga funksionet. Ndërsa vendimi i tij për të mos u larguar nga posti, u pasua me reagime të forta të emrave të njohur brenda PD si Jozefina Topalli, Majlinda Bregu dhe Genc Ruli. Mbrëmë ndërkohë grupimi i anëtarëve që këmbëngulin në largimin e zotit Basha, ka dalë me një tetër deklaratë në të cilën saktëson se “vetëm dorëheqja e menjëhershme e kryetarit Lulzim Basha, është kushti i parë për të shkruar drejt një procesi gjithëpërfshirës analize për të nxjerrë shkaqet e humbjes fatale dhe mungesës së mbi 200 mijë votave të demokratëve në zgjedhjet e 25 qershorit”. Po ashtu ata e shikojnë si shkelje të statutit jo vetëm vendimin e zotit Basha për ngrirje të kompetencave të tij por dhe “akti i shpalljes së hapjes së procesit të zgjedhjeve dhe analizave për zgjedhje nga ana e dy nënkryetarëve (për habi mungon firma e Sekretarit të Përgjithshëm), është uzurpim i kompetencave që nuk ia atribuan Statuti as Kryetarit, as Nënkryetarëve apo Sekretarit të Përgjitshëm, por Kryesisë së PD (Neni 40 pika 2) si për datën e zgjedhjeve ashtu dhe të procedurave të zgjedhjeve e të Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (Neni 46 i Statutit). I gjithë procesi nxirret që në fillim jashtë normave dhe përcaktimeve statutore duke e bërë atë jo transparent dhe të manipulueshëm”. Sipas tyre “zgjedhjet e organizuara me urgjencë rrezikojnë përçarjen e PD dhe jo afirmimin e saj si forum i mendimit të lirë dhe bashkëpunuese”.

Lidhur me përplasjen e hapur brenda partisë, më herët gjatë ditës, u shpreh dhe ish udhëheqësi i saj historik Sali Berisha. Përmes një statusi në Facebook ai shkruan se “drejtues por dhe anëtarë të thjeshtë të PD-s kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit, i cili padyshim është pergjegjësi më kryesor por natyrisht jo i vetëm për këtë humbje”, thekson zoti Berisha ndërsa kujton më pas vendimin e zotit Basha për ngrirjen e funksioneve. Ai thekson nevojën e një analize të thellë dhe një procesi të drejtë gare, ndërsa nënvizon se “rruga e ringritjes kalon përmes bashkimit dhe jo përçarjes apo përjashtimit”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG