Lidhje

NATO diskuton strategjinë në Afganistan


Dy vjet pas reduktimit të operacioneve ushtarake të NATO-s në Afganistan, Aleanca ka rënë dakord të shtojë numrin e trupave që ka në atë vend në operacione stërvitore për forcat afgane që luftojnë me talebanët. Angazhimi për shtim trupash u bë në takimin një ditor të ministrave të mbrojtjes të Aleancës sot në Bruksel:

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se aleatët kishin rënë dakord të dërgojnë më shumë trupa në Afganistan për të ndihmuar për stërvitjen e forcave afgane. Në komentet sot në Bruksel, zoti Stoltenberg tha se 15 vende kanë shprehur zotime konkrete deri tani për të dërguar kontigjente shtesë:

"Komandantët tanë ushtarakë kanë kërkuar disa mijëra trupa shtesë për misionin në Afganistan. Sot mund të konfirmoj se do të rrisim praninë tone në Afganistan. 15 vende janë zotuar të shtojnë kontributin me trupa për misionin tone; mirëpres angazhime nga vende të tjera”.

Angazhimi pason një kërkesë të komandantëve të NATO-s, të cilët thonë se kanë nevojë për deri në 3000 trupa shtesë, pa llogaritur shtimet në kontigjentin amerikan.

Shtetet e Bashkuara parashikojnë të dërgojnë 3000-5000 trupa shtesë, ndërsa aleatët evropianë priten rreth 1200 trupa. Britania është zotuar të dërgojë rreth 100 trupa shtesë.

Zoti Stoltenberg tha se shtimi i pranisë ushtarake nuk nënkupton se Aleanca do të angazhohet sërish në luftime kundër talebanëve apo grupeve të tjera ekstremiste në Afganistan, dy vjet pasi NATO i përmbylli shumë prej operacioneve të saj në atë vend.

Aktualisht NATO-ja udhëheq një kontigjent me rreth 13 mijë e 450 trupa shumë-kombëshe që janë angazhuar për të stërvitur forcat afgane. Prej tyre rreth 8400 janë forca amerikane.

Diskutimet për shtim të forcave të NATO-s në Afganistan dëshmojnë shqetësim në radhët e perëndimorëve për keqësimin e situatës së sigurisë në Afganistan, ku kryengritësit talebanë kanë avancuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit.

Një tjetër temë sot në takim ishte financimi i operacioneve të NATO-s dhe nevoja që vendet anëtare të përmbushin kuotat që kërkohen në proporcion me prodhimin e brendshëm bruto.

Në takim mori pjesë për herë të parë edhe ministri i mbrojtjes i Montenegros, vendi më i ri që anëtarësohet në Aleancë. Predrag Boskovic tha se vendi i tij ka përjetuar presion të konsiderueshëm nga Rusia gjatë viteve të fundit. Por ai shtoi se aderimi i Malit të Zi në NATO nuk është një ank për t’iu kundërvënë interesave ruse.

“Nëse Rusia do paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor, jam i sigurtë që kjo është edhe në interes të Rusisë, pasi antarësimi ynë nuk u bë për t’iu ndonjë vendi tjetër, as Rusisë. U bë për të mirën e të gjithë Ballkanit Perëndimor dhe të atyre që jetojnë në Ballkanin Perëndimor,” tha zoti Boskovic.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG