Lidhje

Serbi: Parlamenti zgjedh kryeministren e parë homoseksuale


Ligjvënësit serbë zgjodhën të enjten kryeministren e parë homoseksuale të vendit.

Parlamenti me 250 ligjvënës, votoi me shumicë dërrmuese (157 vota) për të zgjedhur 41 vjeçaren Ana Bërnabiç, pas propozimit të presidentit Aleksandër Vuçiç, ndërsa 55 ishin kundër.

Ajo hyri në politikë vitin e kaluar, në cilësinë e ministres për administratën publike, pas një karriere në fushën e biznesit dhe programeve të zhvillimit.

Emërimi i Ana Bërnabiçit nga presidenti Vuçiç u pa në të gjithë Evropën si një shenjë distancimi e Serbisë nga Rusia, pasi vendi shpalli synimin për t'u integruar në Bashkimin Evropian.

Zonja Bërnabiç tha se anëtarësimi në BE, do të jetë një nga përparësitë e saj kryesore. "Duke hyrë në Bashkimin Evropian, në bëhemi pjesë e shoqërisë së përbërë nga vendet më të drejta, më të hapura dhe më të kamura. Aty e ka vendin Serbia. Ne do të vazhdojmë politikën e ndërtimit të marrëdhënieve më të mira të mundshme me popullin rus dhe udhëheqësit e tij shtetëror" tha ajo një ditë më parë duke paraqitur programin e qeverisë.

Kabineti i propozuar prej saj, përfshinë disa ministra me orientime të qarta pro ruse, përfshirë edhe kandidatin për ministër të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, një politikan pro-rus, i njohur për qëndrime të linjës së ashpër kundër perëndimit dhe deklaratat nxitëse kundër shqiptarëve, kroatëve dhe boshnjakëve.

Zonja Bërnabiç, tha të mërkurën se do të angazhohet për politikë të fqinjësisë së mirë, ndërsa bëri thirrje për ngritjen e shpejtë të asociacionit të komunave me shumice serbe në Kosovë, që ishte pjesë e marrëveshjeve të arritura në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Vëzhguesit e shohin zgjedhjen e saj si një veprim për të kënaqur kërkesat e perëndimit që ngulë këmbë për përmirësimin e të drejtave të pjesëtarëve të komunitetit LGBT në shoqëritë konservatore në Ballkan. Por, për shumë syresh, zgjedhja e saj nënkupton se fuqia qeverisëse do të vazhdojë të mbetet në duart e presidentit Vuçiç. Gjatë tërë fjalimit të saj në parlament ajo ju referua mbështetjes së tij për çdo veprim si kryeministre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG