Lidhje

Juncker: Bisedimet për Qipron mundësia e fundit për ribashkim


Bisedimet e tanishme për ribashkimin e ishullit të ndarë të Qipros janë “mundësia e fundit” për arritjen e synimit të komunitetit ndërkombëtar, tha sot presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker. Udhëheqësit e Qipros greke dhe ata të Qipros turke të mërkurën filluan bisedimet që kanë për qëllim ribashkimin e ishullit të ndarë prej më shumë se 40 vitesh.

Udhëheqësi grek qipriot Nicos Anastasiades dhe ai turk qipriot Mustafa Akinci po zhvillojnë negociatat në vendpushimin turistik alpin të Crans-Montanës në Zvicër, në prani të zyrtarëve të OKB-së, Bashkimit Evropian si dhe ministrave të jashtëm të Greqisë dhe Turqisë. Presidenti i Komisionit Evropian u ka bërë thirrje të dyja palëve që të arrijnë një marrëveshje për ribashkimin e ishullit të ndarë.

“Shpresoj se do të ketë përparim në këto bisedime. Takimi i parë që patëm në këtë format nuk ishte shumë premtues. E kam thënë në atë takim se kjo është mundësia e fundit për procesin e ribashkimit të Qipros, dhe unë do të bëjë gjithçka për të ndihmuar dhe mbështetur këtë proces.”

Edhe ministri i jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu tha se raundi i tanishëm i bisedimeve duhet të jetë përpjekja e fundit për të zgjidhur mosmarrëveshjen e vjetër rreth Qipros.

Zoti Çavusoglu gjithashtu tha se grekët qipriotë duhet të heqin dorë nga ëndrra e tyre për largimin e 35,000 trupave turke nga ishulli.

"Ne nuk do ta negociojmë këtë çështje përgjithmonë. Ajo ka një fund. Nëse kjo zgjidhje e mundshme nuk arrihet, atëherë korniza e negociatave do të duhet të ndryshohet. Ne do të negociojmë për diçka tjetër. Ne jemi në fillim të negociatave. Nuk ka nevojë të diskutojmë për opsione, plane ose alternativa të tjera. Por, ne duhet të përqendrohemi në përfundimin e këtij procesi negociues me një zgjidhje."

Homologu i tij grek, Ministri i Jashtëm Nikos Kotzias, tha se pala turke ka përsëritur të njëjtat qëndrime pa pushim.

Kërkesa e grekëve qipriotë për tërheqjen e forcave turke nga Qipro është një nga pengesat më të mëdha për arritjen e një marrëveshjeje për ribashkimin e ishullit mesdhetar.

Turqit qipriotë duan që trupat turke të qëndrojnë për sigurinë e tyre, ndërsa zyrtarët grekë në Nikosia thonë se prania e vazhdueshme e ushtrisë turke është një kërcënim për stabilitetin.

Ndërmjetësi i OKB-së, Espen Barth Eide thotë se rezultati më i mirë i këtyre bisedimeve do të ishte arritja e një marrëveshje deri më 7 korrik, arritja e së cilës do të ishte e vështirë por jo e pamundur. Nëse marrëveshja arrihet, atëherë më vonë këtë vit ajo do të hidhet në referendum nga të dyja palët.

Trupat turke pushtuan Qipron në korrik të vitit 1974, pas një grusht shteti në Nikosia që kishte për qëllim bashkimin e ishullit me Greqinë. Që atëherë Qiproja është e ndarë mes grekëve qipriotë në jug dhe turqve qipriotë në veri, me trupat paqeruajtëse të OKB-së në mes.

Vetëm Turqia njeh veriun, ndërsa jugu grek gëzon njohje ndërkombëtare dhe është anëtar i Bashkimit Evropian.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG