Lidhje

Miratohen ligje të ashpra ndaj emigracionit të paligjshëm


Dhoma e Përfaqësuese ndërmori hapat e para drejt zbatimit të dy premtimeve kryesore elektorale të Presidentit Trump: ashpërsimin e ndëshkimeve për emigrantët pa dokumenta të cilët janë rikthyer sërish në SHBA pasi janë deportuar njëherë; si dhe, shkurtimin e fondeve për të ashtuquajturit “qytete strehë” që kanë zgjedhur të mos bashkëpunojnë me agjentët federalë të emigracionit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, shqyrton pasojat për emigrantët pa dokumenta dhe familjarët e tyre në mbarë Shtetet e Bashkuara.

Kur ishte kandidat për president, zoti Trump tha se Sarah Root vdiq për shkak të ligjeve të dobëta për emigracionin:

“Një tjetër fëmijë e sakrifikuar në altarin e kufijve të hapur”, u shpreh ai gjatë fushatës elektorale.

Sarah sapo ishte diplomuar nga kolegji kur ajo u vra në një aksident. Mendohet se autori ishte një emigrant pa dokumenta që i jepte makinës i dehur.

“Nuk mundesha kurrë ta lija pa e ndjekur këtë çështje. Ajo e meritonte këtë përpjekje”, thotë Michelle Root, nëna e vajzës së vrarë.

Megjithëse nuk ka prova se emigrantët pa dokumenta kryejnë më shumë krime, familja Root dhe familje të tjera po gjejnë ngushëllim tek masat më të forta ndëshkimore.

“Do të ishte më mirë të mos kryenin më krime emigrantët e paligjshëm, por nuk është dëshirë realiste. Do të doja shumë që mos të kishte më shoferë të dehur që marrin jetë njerëzish, por nuk është realiste. Kështu që na duhet të marrim masa”, thotë zonja Root.

Një projektligj që ndëshkon emigrantët që rikthehen në SHBA pasi janë deportuar, si dhe një projektligj që ndëshkon “qytetet strehë”, morën mbështetjen e plotë të Presidentit Trump, i cili ftoi në Shtëpinë e Bardhë familjarët e viktimave, si dhe dërgoi në Kongres Sekretarin e Sigurisë Kombëtare.

“Për viktimat dhe familjet e prekura nga krimet e emigrantëve të paligjshëm, qytetet strehë nuk ofrojnë siguri”, tha Sekretari i Sigurisë Kombëtare, John Kelly.

Demokratët thonë se emigrantët pa dokumenta mbështeten tek mbrojtja që u ofrohet në këto qytete strehë.

“Është një rrjet sigurie për njerëzit që kujdesen për familjet tona, që mbledhin të korrat tona, që kujdesen për prindërit tanë. Ky është një legjislacion anti-amerikan”, deklaroi ligjvënësi demokrat nga Nju Jorku, Adriano Espaillat.

Ata thonë se legjislacioni i ri diskriminon emigrantët e tjerë pa dokumenta që u përmbahen ligjeve të vendit.

“A e dini se çfarë bën ky ligj? I dërgon në burg për 20 vjet për shkak se rikthehen tek fëmijët e tyre”, tha ligjvënësi demokrat nga Illinois, Luis Gutierrez.

Nuk dihet nëse emigrantët pa dokumenta do të zmbrapsen për shkak të legjislacionit të ri.

“Do të ishte shumë më e efektshme që të rritej përqindja e ndalimit të atyre që hyjnë ilegalisht, se sa t’i kërcënojmë me dënime të gjata, për të cilat ata ndoshta edhe nuk dinë gjë”, thotë aktivistja Molly Gill, e organizatës “Familjet kundër minimumit të detyrueshëm”.

Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve thonë se votat e tyre shkuan në mbështetje të ligjit dhe rendit, pjesë e premtimeve elektorale të Presidentit Trump.

“Presidenti Trump po godet kriminalitetin në radhët e emigrantëve; kalimet e paligjshme të kufirit kanë rënë dhe janë rritur arrestimet dhe deportimet e kriminelëve të huaj, ashtu siç kërkuan amerikanët në nëntor”, deklaroi ligjvënësi republikan nga shteti Tennessee, Scott Desjarlais.

Pjesë të tjera të programit të Presidentit mbeten sidoqoftë të pasigurta. Me vetëm pak javë përpara pushimit të verës, ligjvënësit republikanë thonë se forcimi i ligjeve për emigracionin është një fitore thelbësore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG