Lidhje

Gjemania voton për legalizimin e martesës brenda së njëjtit seks


Ligjvënësit gjermanë votuan të premten për të legalizuar martesën brenda së njëjtit seks. Kjo konsiderohet një fitore për aktivistët e të drejtave të homoseksualëve.

Vendimi u shoqërua me brohoritje dhe entuziazëm nga aktivistët që valvitën flamujt me ngjyrat e ylberit simbol i lëvizjes së tyre ndërsa Dhoma e Ulët e parlamentit gjerman votoi projekligjin me 393 vota pro, 226 kundër, me katër abstenime.

Vendimi pason një veprim të ngjashëm në disa vende të tjera perëndimore. Më parë kancelarja Angela Merkel u kishte thënë ligjvënësve se ishin të lirë ta trajtonin çështjen sipas “ndërgjegjes së tyre".

Bashkëjetesa ka qenë e ligjshme në Gjermani që nga viti 2001, por martesat brenda së njëjtit seks kanë qenë të paligjshme.

\"Kjo është një ditë historike për Gjermaninë," tha Soeren Landmann, një aktiviste për barazinë martesore. "Sot, mijëra çifteve të së njëjtës gjini u është dhënë mundësia për barazi dhe shoqëria me dy klasa lidhur me çështjet e dashurisë u shfuqizua. Gjermania mund të gëzohet vërtet sot", tha ajo.

Vendimi u mirëprit dhe nga drejtori i Amnesty International për Evropën, John Dalhuisen.

"Gjermania u bë vendi i 23-të që njeh martesat mes personave me të njëjtin orientim seksual dhe i ka dërguar një mesazh të qartë botës se homoseksualët dhe lezbiket duhet të kenë të drejta të njëjta si të gjithë tjetër dhe mbrojtje të plotë e të barabartë nga ligji", tha ai.

Zonja Merkel dhe anëtarët e bllokut të saj konservator e kanë kundërshtuar legalizimin e martesës brenda të njëjtit seks.

Kancelarja Merkel tha se votoi kundër projektligjit, pasi beson se martesa siç përcaktohet edhe në ligjin gjerman duhet të jetë mes një burri dhe një gruaje. Ajo tha se vendimi i saj ishte personal.

"Shpresoj që votimi sot jo vetëm të promovojë respekt me mendimeve të ndryshme, por dhe të sjellë më shumë mirëkuptim social dhe paqe", tha ajo.

Kisha Katolike shprehu keqardhjen për vendimin. Por projekligji që të hyjë në fuqi duhet të miratohet dhe nga Dhoma e Lartë e parlamentit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG