Lidhje

Reagime pas komenteve të Pres. Trump për gazetaren Brzezinski


Komentet e papërshtatshme dhe personale të Presidentit Donald Trump ndaj drejtueses së njohur televizive Mika Brzezinski, shkaktuan reagime të menjëherëshme nga gazetarja vetë, nga të dyja palët e politikës dhe analistët. Por fakti që vetë Shtëpia e Bardhë dhe Zonja e Parë Melania Trump i dolën në mbrojtje Presidentit, po konsiderohet shqetësues, duke pasur parasysh edhe natyrën seksiste të komenteve që zoti Trump i bëri në Twitter.

Në Twitter Presidenti kitikonte të dy drejtuesit e emisionit “Morning Joe”, Joe Scaraborough dhe Mika Brzezinski, që janë të fejuar me njëri-tjetrin.

“Mora vesh se emisioni që nuk shihet @Morning_Joe, flet keq për mua (nuk e shikoj më)”, shkruante Presidenti në një mesazh me dy pjesë. Por sulmet me nota më personale, që menjëherë u komentuan si të ashpra dhe të papranueshme vinin në shënjestër zonjën Brzezinski.

“Atëherë, si shpjegohet që “Mika e Çmendur” me koefiçient inteligjence të ulët, bashkë me “Psikopatin Joe”, erdhën në vilën time në Mar-a-Lago tre netë rresht në Vit të Ri dhe këmbëngulnin të më takonin? Asaj i ishte përgjakur fytyra nga një operacion plastik, por unë thashë jo!"

Çifti kishte thënë se kishte shkuar në vilën e Mar-a-Lagos të presidentit të ardhshëm, në Florida, për të caktuar një intervistë me të vetëm një muaj përpara Inaugurimit.

Dje zonja Brezinski, u përgjigj përmes një postimi në Twitter të fotos së një fëmije me një kuti drithërash Cheerios, me sloganin, “Bërë Për Duar Të Vogla” – mesa duket, duke iu referuar fushatës së vitit të kaluar, kur madhësia e duarëve të zotit Trump u bë shënjestër shakash politike.

Sot të dy gazetarët thanë në emisionin e tyre se Presidenti Trump kishte gënjyer për takimin e tyre në dhjetor, dhe se “fiksimi i tij i pashëndetshëm” me programin e tyre, nuk është i mirë as për shëndetin e tij mendor dhe as për vendit.

Reagimet nga politika ishin të menjëhershme, përfshirë republikanët.

“Pa dyshim që nuk më duket një postim me vend. Ne po përpiqemi që të përmirësojmë mënyrën se si i drejtohemi njëri-tjetrit në politikë dhe të fusim frymën e qytetarisë në debat, por kjo nuk arrihet me postime në Twitter si ky”, tha Paul Ryan, Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

Edhe ligjvënës të tjerë reaguan.

Senatori i Nebraskës, Ben Sasse, u shpreh në Twitter “Të lutem, mjaft me kaq. Kjo nuk është normale dhe i kalon kufijtë e dinjitetit të zyrës tuaj”.

Po ashtu, senatori i Karolinës së Jugut, Lindsey Graham, tha: “Zoti President, postimi juaj në Twitter i kalonte kufijtë e lejuar nga zyra dhe ishte pikërisht shembulli i asaj që nuk shkon sot me politikën amerikane, jo me madhështinë e Amerikës.”

Senatorja e Meinit, Susan Collins, postoi në Twitter këtë deklaratë: “Kjo duhet të marrë fund. Ne të gjithë kemi të njëjtën punë - tre degë të qeverisjes dhe median. Nuk është e thënë që të merremi vesh, por të sillemi të paktën me dinjitet dhe qytetari”.

Edhe shumë demokratë, reaguan ashpër, përfshirë kryetarën e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi:

“Është kaq seksiste. As nuk ka dyshim për këtë. Por jam e trishtuar të them që vazhdoj të mbetem gruaja me detyrën më të lartë. Mendoja që kjo do të ndryshonte nëntorin e kaluar, por në fakt kemi në Shtëpinë e Bardhë dikë që jo vetëm që është burrë, por edhe nuk ka respekt për gratë. Sa keq!”.

Pjesa tjetër që shkaktoi shqetësim, ishte se zonja e parë, Melania Trump e cila gjatë fushatës, bëri thirrje për një Amerikë më të sjellshme dhe të butë, doli me një deklaratë në mbrojtje të bashkëshortit të saj.

Zëdhënësi i saj tha, “Ashtu siç edhe është shprehur publikisht në të kaluarën, Zonja e Parë tha se kur bashkëshortin e saj e sulmojnë, ai do të godasë dhjetë herë më fort”.

Të njëjtën gjë bëri edhe zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders, e cila tha se “Presidenti nuk do pranojë t’i bien sërish në qafë”.

“Mendoj se Presidenti po kundërsulmon ata që e sulmojnë ditë pas dite. Pse nuk ka indinjatë për një gjë të tillë? Ju (duke iu drejtuar gazetarëve) vini dhe pyesni, a është kjo normale, ndërkohë që ai sulmohet çdo ditë dhe jo vetëm ai. E vetmja luftë që shoh unë është kundër presidentit dhe atyre që punojnë për të”.

Presidenti ka kohë që i cilëson organizatat më të mëdha të lajmeve si “lajme të rreme”, për njoftimet të cilat nuk i pëlqejnë gjatë këtyre pesë muajve të tij në Shtëpinë e Bardhë.

Ndihmësit e presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe Zonja e Parë, Melania Trump, janë përpjekur shpesh, pa sukses, t’u vënë fre postimeve kaq të drejtpërdrejta të Trampit në Twitter. Por Presidenti thotë se kjo është mënyra se si ai u jep mundësi miliona njerëzve të shprehen troç, pa kaluar në flitrat e mediave kombëtare, të cilat ai i përçmon.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG