Lidhje

Gara për kreun, në mbrëmje mblidhet kryesia e PD


Në Shqipëri Partia Demokratike do të mbledhë sot në mbrëmje Kryesinë për të zyrtarizuar kandidaturat për kreun e ri të saj. Por një prej figurave të njohur Astrit Patozi, i cili të shtunën shpalli kandidaturën e tij, të kushtëzuar me realizimin e disa kushteve, u shpreh sot se kryetari Basha ka zgjedhur sipas tij të bëjë jo garë për një farsë zgjedhore. Edhe kandidati tjetër Eduard Selami tha sot se ka kërkuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Por në një deklaratë të tyren, dy nënkryetarët e Partisë të cilëve u është deleguar organizimi i zgjedhjeve, theksuan se gjithshka është bërë në respekt të statutit:

Zoti Lulzim Basha, i cili ka zgjedhur të “ngrijë” funksionet e tij organizative në parti në funksion të zgjedhjeve për kryetarin e ri, u pa sot të dilte nga zyra e tij për t’u takuar në mjediset e një bari pranë selisë me anëtarë e mbështetës demokratë. Po aty ishte dhe kandidati në garë Eduard Selami, i cili do të kishte më pas një bisedë direkte me zotin Basha. Ky i fundit ka evituar daljet në publik, që nga dita kur lexoi deklaratën për rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit, dhe bëri të qartë se nuk kishte ndërmend të dorëhiqej, pavarësisht kërkesave në rritje nga ana e kundërshtarëve të tij. Ai dhe sot shmangu komentet duke u shprehur se vetëm sa ishte përshëndetur me demokratët dhe se nuk kishte nisur ende fushatën e tij.

Dje në mbrëmje skadoi afati i rregjistrimit të kandidatëve. Të shtunën në mbrëmje, ish nënkryetari dhe ish kryetari i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi deklaroi gatishmërinë për të marrë pjesë në garë, por duke e kushtëzuar këtë me realizimin e një sërë kërkesave, që nga dorëheqja e zotit Basha te garancitë që lidheshin me respektimin e statutit, ato mbi listat e votuesve dhe kontrollin mbi garën. Sot përmes një statusi në Facebook ai u shpreh se asnjë kërkesë nuk ishte marrë parasysh. “Në këto kushte, kur nuk garantohen as elementët bazikë për zhvillimin e një konkurrimi normal, Lulzim Basha mbetet sot përgjegjësi i vetëm, jo vetëm për rezultatin katastrofik të PD-ës në zgjedhje, por dhe për bllokimin e një gare, që do t' i jepte asaj shansin e vetëm për t'u ringritur”, shkruan ai duke akuzuar zotin Basha se “ka marrë përsipër nisjen dhe përfundimin e një farse të shëmtuar elektorale, që thellon akoma më shumë përçarjen dhe krizën e thellë të PD dhe po e çon me bindje drejt shkatërrimit përfundimtar”.

Shqetësime për kushte të pabarabarta gare ka shprehur dhe kandidati tjetër Eduard Selami: “Unë ndaj shqetësimin e grupimeve të tjera, por nuk ndaj mënyrën e zgjidhjes. Mendoj që zgjidhjet duhet të jenë institucionale. Sa për shqetësimet për statutin. Unë them se Komisioni organizativ do të japë mendimin e tij. Unë e dhashë mendimin tim, duke thënë se gara duhet të jetë më e pastër, duke plotësuar ato që quaj kushte. Por kjo nuk duhet të bllokojë procesin se do e fuste PD në një spirale të pakëndëshme e do të dobësonte opozitën në Shqipëri dhe kjo nuk është në interes as të PD-ës dhe as të Shqipërisë”

Zoti Selami theksoi se në takimin me zotin Basha kishte kërkuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve: "I sugjerova se data 22 nuk është datë e cila mua nuk më jep kohë të mjaftueshme për të bërë fushatë. Dhe unë propozoj si kompromis që të jetë java e parë e shtatorit, sepse na duhet që në grupin parlamentar të kemi lidershipin e ri. Zoti Basha më tha që kjo kompetencë është jashtë duarve të tij, por të Komisionit. Por unë mendoj se një shtyrje e tillë do të ishte një mundësi më shumë për ne”.

Por nuk vonoi shumë dhe në një deklaratë ku njoftojnë mbledhjen në mbrëmje të kryesisë së partisë, dy nënkryetarët Edi Paloka dhe Edmond Spaho, nënvizojnë se i gjithë procesi është organizuar në respekt të statutit dhe rregullave të partisë.

Megjithatë mbledhja e mbrëmjes pritet të shoqërohet me jo pak debate, duke qenë se anëtarë të saj janë mjaft nga emrat që kanë kritikuar ashpër këto ditë zotin Basha jo vetëm për humbjen e thellë në zgjedhjet parlamentare por dhe për mënyrën e organizimit të garës brenda partisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG