Lidhje

Shqipëri: Prona turistike me dokumente të falsifikuara


Në Shqipëri, hetimet e Prokurorisë së Vlorës kanë zbuluar një skemë kriminale me anë të të cilës qindra hektarë pronë turistike në gadishullin e Karaburunit dhe fshatin Zvërnec, u tjetërsuan në mënyrë të paligjshme duke përfshirë vendime të falsifikuara në arkivën e Gjykatës së Vlorës. Materiali, bashkëpunim i Zërit të Amerikës me rrjetin investigativ BIRN, hedh dritë mbi disa procedura falsifikimi që përfshijnë vendime gjykatash pa u zhvilluar procese gjyqësore, përdorim emrash të personave që nuk jetojnë dhe transferime pronash nëpër disa duar.

Raimond Mëzi, me profesion varrmihës, jeton në një shtëpi të varfër në lagjen “Partizani” në Vlorë. Sipas një vendimi të Gjykatës së Vlorës të datës 29 Dhjetor 2000 nga gjyqtari Thoma Nika, Mëzi rezulton të jetë pronari i një sipërfaqe toke prej 220 hektarësh në gjirin piktoresk të “Shën Vasilit” në gadishullin e Karaburunit.

Ka vetëm një problem, vedimin i gjykatës që e bën Mëzin pronar të pronës që kap një vlerë tregu prej 210 milionë euro, është i falsifikuar.

Sipas të dhënave të siguruara nga BIRN, krijimi i dosjeve gjyqësore me procese që nuk janë zhvilluar kurrë, falsifikimi i dokumenteve arkivorë e më pas certifikim të tyre në institucionet shtetërore është pjesë e një skeme kriminale të zbuluar nga Prokuroria e Vlorës në vitin 2016-të. Sipas Prokurorisë, mbi 314 hektarë tokë është përfituar në zonën e Karaburunit dhe Zvërnecit e më pas është shitur tek të tretë.

Ndër dosjet e falsifikuara rezulton një vendim i gjyqtarit të ndjerë Skerdilajd Konomi - i vrarë në vitin 2011 në Vlorë me një sulm me ekspoliziv i tipit mafioz - dhe të një gjyqtari tjetër Qatip Bylykbashi, i cili rezulton të ketë ikur nga Shqipëria që në fillim të vitit 1990.

Për të hetuar dyshimet për manipulimet me pronat në qarkun e Vlorës, në Gusht të vitit 2015-të, kryeministri Edi Rama urdhëroi ngritjen e një task –force ndër-institucionale, nëpërmjet së cilës ai premtoi se institucionet do të hidheshin në kundërsulm ndaj grabitësve dhe falsifikatorëve të pronës. Nga viti 2015-të deri në vitin 2017-të Agjencia e Trajtimit të Pronave ka kallëzuar në prokurori 35 raste të tjetërsimit të pronës nëpërmjet falsifikimit, raste për të cilat nuk ka asnjë vendim përfundimtar nga gjykatat shqiptare.

Hetimi për falsifikimin e pronave në Karaburun është një nga çështjet e evidentuara nga task-forca ndërinstitucionale. Në Shkurt 2016-të Prokurori Albert Kuliçaj urdhëroi arrestimin e disa të dyshuarve, përfshirë Raimond Mëzin, avokatin e tij Enkes Hysendhima, ish punonjësen e hipotekës së Vlorës Blerian Dhrami, noteren Belona Seraj, si dhe u vendos masa e sigurisë “detyrim për paraqitje” dhe “pezullim nga detyra” për Donika Besimaj- përgjegjëse e arkivës në Gjykatën e Vlorës- si e dyshuar në këtë skemë të falsifikimit të dokumenteve. Ndërkohë në kërkim është shpallur dhe biznesmeni Pëllumb Petritaj, i cili nuk është ndaluar akoma nga Policia e Shtetit.

Më shumë se 1 vit më vonë, Prokuroria e ka akoma çështjen e bujshme nën hetim ndërkohë që të gjithë të dyshuarit që u arrestuan një vit më parë, përfshirë Raimond Mëzi, tashmë janë liruar me urdhër të prokurorisë. I sapo dalë nga burgu, Mëzi i tha BIRN se ai nuk kishte lidhje me falsifikimet e bëra dhe ishte thjeshtë një viktimë. Prokuroria e Rethit të Vlorës u tregua e rezervuar për dhënien e informacionit sepse çështja është akoma nën hetim, por sipas dokumenteve që BIRN disponon emri i Mëzit duket se është përdorur vetëm për sigurimin e pronës e cila më pas është shitur nga avokati Enkes Hysnedhima, falë një prokure përfaqësimi.

Sipas Mëzit, në vitin 1994 i ati Jakupi, kishte bërë një kërkesë në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për rikthim e një sipërfaqe prej 61,400 metra katrorë të konfiskuar nga regjimi komunist në qytetin e Vlorës.

Bazuar në këtë kërkesë të Jakupit, në Gjykatën e Vlorës është gjetur një vendim i atribuar gjykatësit Thoma Nika me datë 29 Dhjetor 2000, që e bën Raimond Mezin pronar të 220 hektarëve tokë në Karaburun. Në Tetor 2012-të, në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme është bërë një kërkesë për ta regjistruar këtë pronë në emër të Raimondit, ndërsa 2 vjet më vonë prona i është shitur palëve të treta. Prokuroria dyshon se e tërë dosja gjyqësore është falsifikuar pasi gjyqtari Thoma Nika ka deklaruar se kurrë nuk ka zhvilluar një proces të tillë gjyqësor në vitin 2000. Mëzi i ka deklaruar prokurorëve se dokumentet e shitjes në zyrën e noterit i ka firmosur në fletë të bardhë.

Avokati Enkes Hysnedhima, i cili ndryshe nga Mëzi jeton në një vilë luksoze në qytetin e Orikumit, i tha BIRN se procedurat e ndjekura nga ai janë ligjore. Ai mohoi të ketë njohje me përfituesit e pronës dhe shprehet se thjesht ka përfaqësuar klientin e tij Raimond Mëzi, në të gjithë transaksionet e kryera.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se prona në Karaburun nuk është e vetmja sipërfaqe toke e falsifikuar në emër të Raimond Mëzit. Nëpërmjet një vendimi gjyqësor të vitit 2003, i cili i atribuohet gjyqtarit të ndjerë Skerdilajd Konomi, Mëzi është shpallur pronar i një sipërfaqe tjetër në Zvërnec. Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se dokumentacioni që ka shërbyer për njohjen, kthimin dhe më pas regjistrimin e kësaj prone, është i falsifikuar. Prokuroria e ka konstatuar si tërësisht fiktiv këtë vendim, pasi, në kohën e dhënies së vendimit, i ndjeri Konomi nuk ka qenë gjyqtar.

Të dhënat e siguruara nga BIRN, tregojnë që kjo skemë falsifikimi e pronës është përdorur gjithashtu për të tjetërsuar një sipërfaqe tjetër toke prej 5.2 hektarësh në zonën e Zvërnecit në Vlorë. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Vlorës, kjo pronë është regjistruar fillimisht me anë të një vendimi të falsifikuar në emër të shtetases, Shqiponjë Emina, e cila rezulton e vdekur. Prona më pas është shitur tek persona të tretë. Dosja e gjyqësore dhe pse mban vitin 1996, ka mbishkrimin Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë- emërimi zyrtar i vendit nga vitit 1976 deri në vitin 1991. Ky vendim rezulton të jetë dhënë në emër të gjyqtarit Qatip Bylykbashki, i cili rezulton të ketë qenë pjesë e gjykatës gjatë periudhës së komunizmit dhe është larguar nga vendi në vitin 1990.

Sipas dokumenteve e ndjera Shqiponjë Emina ia ka dhuruar pjesë të kësaj prone të barabartë me 11,200 metra katrorë nipit të saj Artur Rrapush Selfos, ndërsa pjesa e tjetër e tokës është transferuar te palë të tjerë të treta. Njëri prej palëve që i është transferuar prona, Bernat Çaushi, mohoi të kishte dijeni për ndonjë pronë në Zvërnec dhe tha se nuk kishte blerë tokë nga Emina – duke i shtuar edhe më shumë dyshimet se kush fshihet mbas kësaj skeme kriminale dhe është përfituesi i vërtet i saj.

Ndërkohë që hetimet vazhdojnë, pronat e tjetërsuara në Karaburun dhe Zvërnec mbeten nën sekuestro paraprake me urdhër të Prokurorisë së Vlorës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG