Lidhje

Trump: Rusia, vende të tjera mund të kenë ndërhyrë në zgjedhje


Presidenti Donald Trump tha të enjten se Rusia mund të jetë përzier në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar për ta ndihmuar atë të fitojë, por tha gjithashtu se edhe të tjerë mund të kenë ndërhyrë.

“Mendoj se Rusia ka ndërhyrë, por ka pasur edhe njerëz dhe vende të tjera që kanë ndërhyrë. Mund të ketë pasur shumë njerëz që mund të kenë ndërhyrë”, tha presidenti Trump në një konferencë për shtyp në Varshavë, para se të shkonte në Hamburg për takimin e G20-ës.

Deklarata e presidentit Trump nuk përputhet me përfundimin më të përcaktuar të shërbimeve amerikane të zbulimit se ishte vetë presidenti rus, Vladimir Putin, që urdhëroi një fushatë për të diskredituar zgjedhjet presidenciale amerikane, si dhe për të dëmtuar reputacionin e kundërshtares së Trumpit, ish Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton.

Shërbimeve amerikane të zbulimit kishin arritur në këtë përfundim që në muajin gusht, tre muaj përpara zgjedhjeve të nëntorit, duke e shtyrë kësisoj presidentin Trump të shtrojë pyetjen se përse paraardhësi i tij, ish Presidenti Barack Obama, “nuk bëri asgjë për këtë”.

Trump tha: “Pse ai nuk bëri asgjë në lidhje me këtë? CIA i tha se ishte Rusia, kështu e kam kuptuar unë. Informacionet ishin të sakta, por Obama nuk bëri asgjë. Ai mendoi se Hillary Clinton do të fitonte zgjedhjet dhe prandaj nuk bëri gjë. Po të kishte menduar ndryshe, do të kishte reaguar ndryshe”.

Presidenti Trump i përligji dyshimet e tij për vlerësimin e shërbimeve të zbulimit rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara, me analizën e gabuar që CIA kishte bërë 14 vite me radhë për Iraku, nën udhëheqjen e Saddam Husseinit, ku sipas CIA-s ky vend kishte armë të shkatërrimit në masë, përpara se Shtetet e Bashkuara ta rrëzonin Sadam Huseinin nga pushteti në vitin 2003.

“Më kujtohet kur dëgjoja lajme për Irakun asokohe, se mbante armë të shkatërrimit në masë”, kujton presidenti Trump. “Si shpjegohet që të gjithë ishin njëqind përqind të sigurtë se Iraku mbante armë të tilla? Kjo shkaktoi trazira të mëdha. Por CIA e kishte gabim dhe i bëri gjërat lëmsh”.

Shërbimet sekrete amerikane dolën në përfundimin se vitin e kaluar, Rusia përhapi lajme të rreme në rrjetet sociale në Shtetet e Bashkuara dhe qartazi hakeroi dokuemntet në kompjuterin e drejtuesit të fushatës elektorale të kandidates Clinton, John Podesta. WikiLeaks publikoi më pas mijëra e-maile të Podestës, thuajse çdo ditë në javët përpara zgjedhjeve, ku kishte detaje rreth përpjekjeve të fshehta të demokratëve për të ndihmuar kandidaten Clinton të fitonte në zgjedhjet paraprake ndaj rivalëve të saj brenda partisë.

Ish Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, është shprehur se shpërndarja e këtyre e-mail-eve ishte një nga arsyet pse ajo humbi zgjedhjet megjithëse anketat tregonin se ajo do t’i fitonte ato.

Në një fjalim që pasoi konferencën e tij për shtyp në Varshavë, presidenti Trump e akuzoi Rusinë se ishte përfshirë në “veprime destabilizuese” në botë, një akuzë të cilën Moska e hodhi poshtë.

Këtë të premte, presidenti Trump pritet të takojë presidentin rus, Putin, për herë të parë, për të biseduar ballë për ballë. Takimi do të realizohet gjatë samitit të G20-ës, por ende nuk dihet nëse ndërhyrja ruse në zgjedhjet amerikanë do të jetë pjesë e diskutimeve dypalëshe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG