Lidhje

Takohen Trump dhe Merkel në Hamburg


Presidenti i SHBA Donald Trump diskutoi të enjten vonë në Hamburg për një numër çështjesh botërore me kancelaren gjermane Angela Merkel, një nga kritiket e tij të shpeshta në skenën botërore.

Takimi u zhvillua pak përpara fillimit të samitit të G-20s të ekonomive më të mëdha të botës.

Dy udhëheqësit u takuan në një hotel, ku u përshëndetën përpara gazetarëve dhe pastaj shkuan pas dyerve të mbyllura për bisedime.

Zonja Merkel ka shprehur pakënaqësinë e saj për tërheqjen e zotit Trump nga marrëveshja ndërkombëtare e klimës e vitit 2015, që synon uljen e çlirimit të gazrave serrë në vitet e ardhshme. Ajo e ka quajtur vendimin e zotit Trump "jashtëzakonisht për të ardhur keq".

Ajo ka thënë gjithashtu se Evropa nuk mund të mbështetet tërësisht te SHBA si një partner në skenën botërore, ndërkohë që zoti Trump ndjek politikën e tij "Amerika e Para". Zonja Merkel ka thënë se Gjermania dhe Kina mund të punojnë së bashku për të zgjidhur çështjet botërore.

Nga ana e tij, Trump i ka kritikuar përpjekjet e zonjës Merkel për të lejuar më shumë emigrantë të hyjnë në Gjermani në një kohë kur udhëheqësi amerikan ka marrë në mbrojtje urdhrin e tij ekzekutiv për të frenuar imigracionin nga gjashtë vende me shumicë myslimane në përpjekje për të frenuar sulmet e mundshme terroriste.

Është hera e dytë që dy udhëheqësit takohen ballë për ballë. Zonja Merkel e vizitoi Shtëpinë e Bardhë në muajin mars dhe gjatë vizitës, mediat folën mjaft për gjestet e dy udhëheqësve, që flisnin për një marrëdhënie të vështirë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG