Lidhje

SHBA, komentet e Presidentit për Rusinë, objekt debatesh


Presidenti amerikan Donald Trump tha se e kishte pyetur dy herë me këmbëngulje Presidentin rus Vladimir Putin për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane, por shtoi se tani ka adhur koha “për të ecur përpara dhe për të punuar në mënyrë konstruktive” me Moskën.

Në një sërë komentesh në Twitter pas kthimit në Uashington nga takimi i G20-ës në Gjermani, Presidenti Trump theksonte se zoti Putin e kishte mohuar me forcë çdo rol të Rusisë në ndërhyrjen në zgjedhje.

Por shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë Reince Priebus i tha rrjetit Fox News se zoti Trump "absolutisht nuk e besonte" mohimin e bërë nga zoti Putin për ndërhyrjen në zgjedhje.

"Me të filluar takimi, Presidenti foli për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane dhe e ngriti këtë çështje të paktën dy herë. Kjo nuk ishte vetëm një pjesë pesë minutëshe e bisedës, por zuri një pjesë të madhe të takimit. Vetëm pas ia ngriti çështjen Presidentit Putin më shumë se një herë - dy herë, ndoshta edhe tre – pra vetëm pasi shpenzoi një pjesë të madhe të takimit mbi këtë temë, presidenti kaloi në tema të tjera,” tha zoti Priebus.

Të dielën, Presidenti komentoi gjithashtu në Twitter se me zotin Putin “kishin diskutuar për krijimin e një njësie të përbashkët për Sigurinë Kibernetike për të shmangur hakerimin në zgjedhje.

Por disa ligjvënës republikanë me peshë e quajtën qesharake idenë e bashkëpunimit me rusët në këtë fushë.

Senatori Lindsey Graham tha se kjo ishte pothuajse "ideja më idiote që kishte dëgjuar ndonjëherë”.

Senatori tjetër republikan Marco Rubio e krahasoi bashkëpunimin me zotin Putin njësoj si të hyje në partneritet me presidentin sirian Bashar al-Assad për kontrollin e armëve kimike.

Më pas, Presidenti Trump u tërhoq nga ideja e krijimit të njësisë për sigurinë kibernetike, duke thënë se nuk mendonte se kjo mund të realizohej.

Presidenti Trump po përballet me muaj të tërë hetimesh, nën akuzat se fushata e tij ka bashkëpunuar me zyrtarët rusë që ata ta ndihmonin të fitonte Shtëpinë e Bardhë dhe se ai ndoshta ka penguar drejtësinë duke shkarkuar drejtorin e Byrosë Federale të Hetimeve, James Comey, i cili drejtonte hetimet për Rusinë.

Në Kongresin amerikan po zhvillohen një numër hetimesh, njëkohësisht me një hetim kriminal të kryesuar nga prokurori i posaçëm Robert Mueller, ish-shef i FBI-së.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG