Lidhje

Pentagoni: Nuk mund të konfirmojmë njoftimet për vdekjen e kreut të IS-it


Zyrtarët e Pentagonit thonë se nuk kanë informacion që konfirmon njoftimet se kreu i Shtetit Islamik Abu Bakr al-Bagdadi ka vdekur.

"Ne nuk mund ta konfirmojmë këtë, por shpresojmë që të jetë e vërtetë" thuhet në një deklaratë të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Organizata “Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut”, me seli në Britani, njoftoi sot se ka informacion që konfirmon vdekjen e udhëheqësit të ISIS-it.

"Sot mësuam për lajmin, por nuk dimë kur vdiq apo si", tha drejtori i grupit të monitorimit Rami Abdel Rahman, për agjensinë e lajmeve AFP.

Abu Bakr al-Bagdadi 46 vjeç nuk është parë më që prej vitin 2014, kur ai u shfaq në xhaminë al-Nurit të Mosulit për të deklaruar "kalifatin" islamik në tokat e kontrolluara nga ISIS-i në Irak dhe Siri. Disa herë kanë qarkulluar lajme të gabuara për vrasjen ose plagosjen e tij.

Militantët e Shtetit Islamik e hodhën në erë xhaminë dhe minaret e saj kryesore muajin e kaluar, ndërsa forcat irakiane po punonin për të larguar militantët nga një prej fortesave të tyre të fundit në Mosul.

Dje kryeministri irakian Haider al-Abadi deklaroi zyrtarisht fitoren ndaj IS-isit në Mosul.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG