Lidhje

Emailet tregojnë se djali i presidentit Trump priste informacion dëmtues për Hillary Clintonin


Djali i madh i presidentit Donald Trump publikoi të martën një shkëmbim e-mailesh, nga të cilët del se ai kishte biseduar rreth planeve për të dëgjuar informacione që dëmtonin kandidaten demokrate Hillary Clinton gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016.

Në e-maile, dhënia e këtyre informacioneve përshkruhet si pjesë e mbështetjes së “Rusisë dhe të qeverisë së saj për zotin Trump" dhe sipas njoftimeve informacioni ishte sensitiv.

Këto e-maile janë prova e parë dokumentare që tregojnë se një bashkëpunëtor i lartë i zotit Trump ishte angazhuar me vetëdije me atë që besohej se ishte një përpjekje e qeverisë ruse për të ndihmuar kandidatin Trump në zgjedhje.

New York Times tha se Donald Trump Jr i publikoi emailet në Twitter, pasi gazeta e njoftoi se do të botonte ato.

Sipas njoftimit, një nga partnerët e biznesit të Presidentit Trump ishte kontaktuar nga një zyrtar i lartë i qeverisë ruse dhe po ofronte t’i jepte fushatës së zotit Trump informacion komprometues për zonjën Clinton.

Sipas gazetës “The New York Times”, ai ishte përgjigjur brenda pak minutash “Nëse është ashtu siç thoni ju, më pëlqen shumë, sidomos nga fundi i verës”.

Donald Trump Jr nuk kishte dhënë shenja se origjina e informacionit, ose nga fakti që kjo ishte pjesë e përpjekjes ruse për të ndihmuar fushatën e të atit, e kishte shqetësuar

Në njërin nga emailet dërguar djalit të zotit Trump, Don Trump Jr., një publicist me emrin Rob Goldstone përpiqet të rregullojë një takim me një avokate, të cilën ai e përshkruan si "avokate të qeverisë ruse".

Zoti Trump Jr. ishte mjaft i angazhuar në fushatën presidenciale të babait të tij.

Ai i publikoi e-mailet të martën në Twitter dhe lëshoi një deklaratë, ku thoshte se po e bënte këtë për të qenë “tërësisht transparent".

Disa orë pasi i biri bëri publike emailet, Presidenti Trump nxorri një deklaratë ku shprehej se "im bir është një person me cilësi të larta dhe unë e përshëndes transparencën e tij".

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders, iu shmang pyetjeve për emailet, duke i drejtuar gazetarët tek avokati i Donald Trump Jr.

E-mailet me publicistin Rob Goldstone tregojnë se zotit Trump Jr. i ishte thënë se qeveria ruse kishte informacione që mund të “inkriminonin'' zonjën Clinton dhe marrëdhëniet e saj me Rusinë.

Goldstone i shkruante zotit Trump Jr. se informacioni që do të merrte “do të ishte shumë i dobishëm” për të atin e tij, kandidatin Trump. Goldstone po punonte për ta lidhur zotin Trump Jr. me avokatin rus Natalia Veselnitskaya, e cila më vonë u takua me zotin Trump Jr. në Nju Jork, në Kullën Trump. Veselnitskaya mohon se ka punuar ndonjëherë për qeverinë ruse.

“Nëse kjo është e vërtetë, e dua këtë informacion, sidomos më vonë gjatë verës,'' iu përgjigj publicistit Goldstone zoti Trump Jr. në një nga emailet, që zoti Trump postoi të martën në Twitter. Mesazhet datojnë në fillim të qershorit 2016.

Të shtunën, Trump Jr e përshkroi takimin me avokaten si një "takim të shkurtër fillestar", i përqendruar te birësimet amerikane të fëmijëve rusë.

Një ditë më vonë, Trump Jr e ndryshoi versionin e tij, duke pranuar se i ishte thënë paraprakisht se Veselnitskaja mund të kishte informacion "të dobishëm" për fushatën Trump dhe gjatë takimit iu tha se ajo kishte diçka për kandidaten Clinton.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG