Lidhje

BE-Ballkan, në Trieste marrëveshja për Zonën Ekonomike Rajonale


Krerët e shteteve dhe të qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën të mërkurën në Takimin e Nivelit të Lartë të Triestes, një tjetër etapë e Procesit të Berlinit, nismë e cila mori jetë në 2014 falë angazhimit direkt të kancelares gjermane Angela Merkel. Takimi u mbyll me arritjen e një marrëveshjeje për krijimin e një Zone Ekonomike Rajonale, dhe nënshkrimin e një plani veprimi për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë, Bashkimi Europian ofroi sot 48 milion euro në mbështetje të sipërmarrjes.

Trieste, takim për Ballkanin Perëndimor
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:41 0:00

Diskutimet e sotme në Trieste u fokusuan në tri fusha kyçe të bashkëpunimit rajonal: Ndërlidhja, Integrimi rajonal ekonomik dhe zhvillimi i sektorit privat, si dhe kontaktet mes njerëzve.

Në fushën e ndërlidhjes, synimi është krijimi i kushteve për rritje ekonomike dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, në veçanti përmes përgatitjes dhe financimit të projekteve konkrete të investimeve në infrastrukturë rajonale në sektorët e transportit dhe energjisë.

Përpara takimit të udhëheqësve të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor me homologët e tyre të Italisë, Gjermanisë, Francës dhe përfaqësuesve të lartë të Austrisë, Kroacisë dhe Sllovenisë,

Johannes Hahn Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit nënshkroi një marrëveshje me Fondin europian të Investimeve, Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe më Bankën Botërore për një financim prej 48 milion eurosh që do të shkojnë për të mbështetur zhvillimin dhe forcimin e kapaciteteve të sipërmarrjes, veçanërisht për hapjen e sipërmarrjeve të reja. Ky fond, i cili pritet të ndihmojë afër 6 mijë sipërmarrje, iI shtohet 220 milion eurove të lëvruara në 10 vitet e fundit për Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Ballkan.

Në përfundim të Takimit të Triestes u firmos Traktati i Komunitetit të Transportit, i cili do të ndihmojë në integrimin e rrjeteve të transportit në rajon dhe me BE-në dhe do të udhëheqë masat reformuese në sektorin e transportit.

Sa i përket integrimit ekonomik rajonal, partnerët e Ballkanit Perëndimor ranë dakord mbi një plan veprimi për të zhvilluar një Zonë Ekonomike Rajonale me qëllim të rrisë tërheqjen në rajon të investimeve si dhe për të gjeneruar vende të reja pune. Rreth saj ka patur shumë diskutime dhe jo pak hezitime

“Komisioni Europian ka bërë një propozim të ri, të cilin ne e diskutuam gjatë. Ajo çka na u ofrua në tryezë nuk ishte ajo që u fol në shkurt të këtij viti, sepse në atë kohë u përmend ideja që ne duhet të kishim një bashkim doganor, një treg të përbashkët. Duke qenë se Serbia dhe Bosnja nuk e njihnin pavarësinë e Kosovës, ne pamë shumë probleme dhe sfida. Sa u përket atyre për të cilat do të diskutojmë sot... kjo është një tryezë për diskutimin e bashkëpunimit ekonomik në rajon, ku tashmë po ndodhin shumë aktivitete, por ne nuk kemi ndonjë shqetësim madhor në veçanti. Më vjen mirë që shumë nga pikat që janë kundërshtuar nga Kosova kanë gjetur mbështetjen e Bashkimit Europian. Jemi të kënaqur edhe me kushtet aktuale të bashkëpunimit në rajon. Do na pëlqente të shikonim ekonomitë dhe shoqëritë tona si bashkëpunojnë. Do donim një mjedis më të favorshëm ekonomik në rajon, më shumë investime dhe vende pune. Të gjitha këto janë të rëndësishme për Kosovën”, - tha Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj.

Edhe Ministri i Jashtëm Serb Ivica Dacic, pohoi se disa vende të rajonit janë skeptike.

“Pati disa propozime, variante të ndryshme të marrëveshjes dhe ramë dakord sa i përket termit ‘zonë e përbashkët ekonomike’, e cila ka të bëjë me katër fusha për të cilat ranë të gjithë dakord. Pavarësisht nga propozimet e ndryshme, jemi të kënaqur me atë çka kemi arritur deri më sot, ishte e domosdoshme të gjenim gjuhën e përbashkët. Por disa vende të rajonit tonë kanë frikë se kjo mund të kthehet në një organizatë të dorës së dytë në Bashkimin Europian”, tha ministri i jashtëm i Serbisë.

Sa i përket kontakteve mes njerëzve, Komisioni Evropian së bashku me qeverinë italiane kanë organizuar në kuadër të Takimit të Triestes, një forum rinor BE-Ballkani Perëndimor, për të vlerësuar rezultatet e arritura që nga viti i kaluar dhe për të eksploruar fusha të tjera të bashkëpunimit. Bazuar në rezultatet e forumit të të rinjve, Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor (RYCO) me qendër në Tiranë, do të zhvillojë më tej programin e saj të punës për të nxitur bashkëpunimin midis të rinjve të rajonit.

Takimi i Triestes është i katërti në radhë, që pas atij të organizuar në Berlin. Megjithatë duket se vendet e Ballkanit kanë patur një pritshëri më të madhe ndaj këtij procesi.

“I kemi moderuar pritshmëritë tona në përgjithësi, në këtë kontekst që jemi, si ne edhe Bashkimi Europian. Por sërish mbetet e rëndësishme ta vazhdojmë këtë proces dhe është gjithashtu jetike që kurrë të mos harrojmë se kur ky proces nisi, e kishim të pamundur të takonim njëri-tjetrin. Kurse sot takimet tona nuk janë më diçka historike, madje janë të mërzitshme”, tha kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

I ashtuquajturi Procesi i Berlinit, synon përshpejtimin e integrimit europian të vendeve të rajonit të Ballkanit, nxitjen e bashkëpunimit mes tyre si dhe mbështetjen për zhvillimin ekonomik. Mesazhi që doli nga ky Takim “duhet të jetë i fortë dhe i qartë”, deklaroi kryeministri italian sipas të cilit “integrimi europian është një zgjedhje strategjike dhe e pakthyeshme”, për të cilën “Italia synon që nëse është e mundur të përshpejtohet. Procesi i integrimit të Ballkanit është thelbësor për stabilitetin e rajonit tonë, për sigurinë, paqen dhe të ardhmen”. Sipas tij “Ballkani është njëkohësisht dhe prova e nëvojës për të zënë hapësirat gjeopolitikat të cilat në të kundërt zihen nga të tjerë dhe kjo nuk mund të ndodhë në një zonë nga e cila na ndan vetëm deti Adriatik, e me të cilën na bashkon historia dhe kultura”.

Edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini theksoi se “integrimi europian i Ballkanit është në interesin tonë ekonomik dhe të sigurisë, pasi bëhet fjalë për vende që janë pjesë e Europës”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG