Lidhje

Brazil: ish presidenti da Silva dënohet për korrupsion


Ish presidenti i Brazilit Luiz Inacio Lula da Silva u dënua të mërkurën me nëntë vjet e gjysëm burg, nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash.

Por ai do të lihet i lirë gjatë procesit të apelit.

Ish presidenti Silva u akuzua se kishte marrë në formën e një rryshfeti një apartament në bregdet nga kompania ndërtimore “OAS”, akuza që ai i ka hedhur poshtë si krejtësisht të pabaza.

Rasti është pjesë e një hetimi të gjerë për korrupsion, që ka turbulluar politikën braziliane dhe si pasojë e të cilit janë burgosur drejtues biznesesh e politikanë të lartë.

Ndëshkimi në fjalë nuk i jep gjyqtarit asnjë kënaqësi personale. Përkundrazi, është për të ardhur keq që një ish president dënohet penalisht", shkroi gjykatësi federal Sergio Moro në vendimin e tij. “Nuk ka rëndësi sa lart ndodheni sepse është ligji ai qëndron mbi ju'', shkruante ai.

Gjykatësi federal Sergio Moro tha se nuk urdhëroi arrestimin e menjëhershëm të Silvas sepse dënimi i një ish presidenti, përbënte një çështje shumë serioze dhe se ai mendonte se fillimisht çështja duhet të trajtohej edhe nga një gjykatë apeli.

Luiz Inacio Lula da Silva, i cili ka qenë president mes viteve 2003 dhe 2010, udhëheq sondazhet për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Çështja do të dëgjohet nga një grup gjyqtarësh dhe nëse ata e mbështesin dënimin, sipas ligjit brazilian Silva nuk do të lejohet të kandidojë për postin e presidentit.

XS
SM
MD
LG