Lidhje

E ardhmja e kujdesit shëndetësor në Amerikë


E ardhmja e kujdesit shëndetësor të Amerikës mbetet një çështje e hapur, tani që republikanët e kanë shtyrë përsëri hedhjen në votë të planit të tyre për të zëvendësuar ligjin e ish-presidentit Obama, të quajtur Obamacare. Ndërkohë, ekipi i presidentit Donald Trump vazhdon të luftojë pasojat politike që ka shkaktuar çështja e emailave, nga të cilat del se djali i tij mezi priste të merrte nga rusët informacione për të dëmtuar fushatën e kandidates demokrate Hillary Clinton gjatë fushatës presidenciale vitin e kaluar. Michael Bowman njofton nga Uashingtoni.

Komentet e fundit në Twitter të Presidentit Trump akuzojnë mediat për shtrembërim të demokracisë dhe trajtim të padrejtë të djalit të tij Donald Trump Jr.

"Djali im është një i ri i mrekullueshëm. Ai pranoi një takim me një avokate ruse, jo një avokate qeveritare, por një avokate ruse," shkruan Presidenti Trump në Twitter.

Por tashmë është mësuar se në takimin e qershorit 2016 ka marrë pjesë një lobist ruso-amerikan me lidhje të mundshme me zbulimin rus dhe variantet kontradiktore për takimin, të dhëna nga Trump Jr po i nënshtrohen një shqyrtimi nga afër.

"Ai fillimisht tha se një takim i tillë nuk ishte bërë kurrë; pastaj tha se takimi kishte të bënte me adoptimet; më pas pranoi se takimi ishte për të marrë informacion për zonjën Clinton dhe më vonë nuk tregoi se kush ishte në takim. Pra, ne nuk mund të pranojmë asgjë nga ato që thotë Trump Jr. Dhe sigurisht që nuk mund të pranojmë shumë nga ato që thotë presidenti për këtë,” thotë kongresmeni Adam Schiff.

Ndërkaq, sipas avokatit të Presidentit, Jay Seculow:

"Donald Trump Jr. e tha vetë se gjërat duhet të ishin bërë ndryshe. E megjithatë, këtu nuk ka asnjë shkelje të ligjit.”

Ekipi ligjor i zotit Trump këmbëngul se presidenti as që kishte dijeni për takimin e djalit të tij. Trump Jr është ftuar këtë javë të dëshmojë para Komisionit Juridik së Senatit.

"Do të isha mëse i lumtur t’jua them të gjitha me transparencë dhe të bashkëpunoj me të gjithë", thotë Trump Jr.

Ndërkohë, një votim mbi një plan republikan për kujdesin shëndetësor është shtyrë përsëri deri sa Senatori John McCain të marrë veten nga një operacion i papritur. Republikanët kanë nevojë për çdo votë të mundshme pro, duke patur parasysh kundërshtimin në bllok nga ana e opozitës demokrate dhe dy vota "jo" brenda grupit republikan.

"Plani republikan mund të çojë në sigurime shëndetësore aspak të sigurta. Ai do të shkaktonte rritje çmimesh për një pjesë njerëzish,” thotë senatorja republikane Susan Collins.

Shtëpia e Bardhë flet ndryshe.

"Më në fund do të keni kujdes shëndetësor të shkëlqyer me çmim më të ulët," është shprehur Presidenti Trump.

Gjashtë republikanë të lëkundur mund të deklarohen pro ose kundër planit të rishikuar këtë javë, kurZyra e Kongresit për Buxhetin të nxjerrë parashikimin e saj për koston e përballimit të kujdesit shëndetësor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG