Lidhje

Venezuelë referendum kundër presidentit Maduro

  • Richard Green

Më shumë se shtatë milionë votues në Venezuelë morën pjesë në një referendum jozyrtar të organizuar nga opozita të dielën. Sipas vëzhguesve, 98 për qind e pjesëmarrësve votuan kundër presidentit Nicolas Maduro, duke mbështetur organizimin e zgjedhjeve presidenciale para përfundimit të mandatit të tij.

Votuesit iu janë përgjigjën tre pyetjeve, duke hedhur poshtë me shumicë votash propozimin për krijimin e një super organi të ri legjislativ, i kërkuan ushtrisë të mbrojë kushtetutën ekzistuese dhe mbështetën mbajtjen e zgjedhjeve të reja para mbarimit të mandatit të presidentit Maduro në fillim të vitit 2019.

"Ndërgjegjja ime si qytetar më shtyri të vija këtu dhe kjo është një dëshmi e fortë se njerëzit janë të pakënaqur. Pavarësisht se nuk ka fuqi legjislative, apo nuk njihet në nivel ndërkombëtar, referendumi tregon fuqinë e qytetarëve. Ky është ndryshimi që njerëzit po presin, dhe ne të gjithë jemi këtu për këtë arsye", thotë Dioinisio Espinoza, banor i Karakasit.

Disa njërëz në motoçikleta të dielën hapën zjarr mbi një grup votuesish në Karakas, duke vrarë një grua në të 60-at dhe duke plagosur tre persona të tjerë.

Opozita fajësoi "paramilitarët" pro-qeveritarë për sulmin jashtë një kishe në një nga distriktet më të varfra të Karakasit. Përmes një deklarate opozita tha se ndjente "dhimbje të madhe" për incidentin.

Rënia e çmimeve globale të energjisë së bashku me korrupsionin në qeveri ka shkatërruar ekonominë e Venezuelës të pasur me naftë, duke lënë miliona njerëz në vështirësi për plotësimin e nevojave të tyre themelore. Rreth 100 vetë kanë vdekur në protestat pothuajse të përditshme anti-qeveritare gjatë disa muajve të fundit.

Presidenti Nicolas Maduro hodhi poshtë votimin e së dielës duke e quajtur atë jo-kushtetues dhe vazhdoi fushatën në mbështetje të referendumit të 30 korrikut për krijimin e një asambleje që do të kishte kompetencat për të rishkruar kushtetutën dhe për të shpërndarë institucionet shtetërore.

Ai ka thënë se ndryshimi i kushtetutës është e vetmja mënyrë për të nxjerrë Venezuelën nga kriza e thellë ekonomike dhe sociale. Zoti Maduro i bëri thirrje opozitës të marrë pjesë në një raund të ri bisedimesh paqësore.

Por opozita thotë se asambleja e re do të shfrytëzohej nga zoti Maduro. Ajo thotë se ndryshimi i kushtetutës nuk është asgjë tjetër veçse një dredhi e presidentit Maduro për ta kthyer Venezuelën në një diktaturë socialiste dhe për të shkatërruar lëvizjen disidente.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG