Në Shqipëri Gjykata Kushtetuese vendosi të shtyjë marrjen e një vendimi lidhur me një padi të dy shoqatave të gjyqtarëve kundër tre ligjeve që janë pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi, mes të cilave dhe ai për rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve, i konsideruar si elementi kyç i të gjithë procesit të ndërhyrjes së thellë në sistem.
Fillimisht Gjykata Kushtetuese kishte parashikuar të mos mbante seanca publike dhe ta gjykonte çështjen me shpejtësi vetëm mbi bazë të dokumentave, ndërsa pranimi brenda një kohë të shkurtër i padisë, u pa si një lëvizje e pazakontë nga kjo Gjykatë. Nga ana e tij Parlamenti, si palë në gjykim, kërkoi rrëzimin e plotë të padisë. Me vendimin e sotëm, qëndrimet e palëve do të dëgjohen në një seancë të hapur më 28 shtator.
Padia e dy shoqatave të gjyqtarëve, prek 25 nene të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, atij “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, si dhe të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” – i njohur si ligji i vetingut. Nenet e kundërshtuara për procesin e rivlerësimit janë ato që rregullojnë kontrollin e pastërtisë së figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve përsa i përket lidhjeve dhe përfshirjes së tyre me krimin e organizuar.
Në argumentat e tij kundër padisë, parlamenti nga ana e tij vlerëson se ankimimit i mungon legjitimiteti formal nga kërkuesi, se për disa prej pretendimeve Gjykata Kushtetuese është shprehur (ajo ka marrë një vendim për Ligjin e Rivlerësimit si dhe atë për Statusin e gjyqtarëve dhe Prokurorëve) dhe se parimet për kontrollin e figurës janë ndërtuar mbi bazën e standarteve më të mira ndërkombëtare.
Padia e dy shoqatëve, veçanërisht ndaj disa neneve të ligjit të Vetingut u pa me shqetësim nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Tiranë. Ambasada amerikane në Tiranë reagoi përmes një deklarate duke theksuar se “populli shqiptar duhet të shqetësohet nga përpjekjet për të dobësuar reformën, për të mbrojtur gjykatës dhe prokurorë të korruptuar, përfshirë ata që kanë lidhje me krimin e organizuar”.
Ndërsa ambasadat e Shteteve anëtare të BE-së dhe Delegacioni i BE-së në Tiranë në një deklaratë të përbashkët u shprehën se “rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, siç parashikohet në legjislacionin që është rishikuar tanimë nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, duhet të fillojë. BE-ja kujton se progresi i besueshëm dhe i prekshëm i pesë përparësive kyçe, zbatimi i reformës së drejtësisë dhe në veçanti i ligjit të rivlerësimit janë thelbësore për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë”.
Facebook Forum