Lidhje

Maqedonia përballë sfidave të reja


Radmilla Shekerinska
Radmilla Shekerinska

Ministrja e mbrojtjes e Maqedonisë ripohoi angazhimin e qeverisë së saj për t'u anëtarësuar në NATO dhe në Bashkimin Evropian, duke thënë në një intervistë se qeveria e re e kupton plotësisht se suksesi apo dështimi është në duart e veta.

"Askush nuk do t’ia sjellë atë," tha ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska për shërbimin maqedonas të Zërit të Amerikës. "Ne duhet të punojmë drejt kësaj, të jemi të përgjegjshëm për progresin dhe mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare nuk do të vonojë."

Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev që filloi nga detyra më 31 maj, e ka vënë përparësinë kryesore te reformat që synojnë përgatitjen e Maqedonisë për integrimin në komunitetin euroatlantik. Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë deklaruar gatishmërinë e tyre për të punuar me qeverinë e re dhe kabineti i zotit Zaev është përgjigjur me një axhendë ku renditen përparësitë konkrete të reformës.

Në të njëjtën kohë, ka nisur një shtysë e re për të zgjidhur mosmarrëveshjen e vjetër me Greqinë, e cila kundërshton anëtarësimin e Maqedonisë në NATO për sa kohë që ajo ndan emrin e një province fqinje greke.

Në ish-republikën jugosllave jeta politike përgjithësisht është stabilizuar, nga tre muaj më parë, kur mbështetësit e qeverisë së mëparshme konservatore sulmuan parlamentin për të penguar transferimin e pushtetit te Partia Social Demokratike e Zaevit.

Gjatë incidentit, vetë zonja Shekerinska u sulmua brutalisht para kamerave, por ajo tha në intervistë se qeveria e saj po e hedh vështrimin drejt së ardhmes e jo në të kaluarën.

"Ne duhet të kompensojmë kohën e humbur gjatë mandatit të udhëheqjes së mëparshme. Nuk mund të presim që dikush tjetër të jetë më ambicioz dhe më i interesuar sesa vetë Maqedonia që ajo të bëhet anëtare e NATO-s," tha ministrja e Mbrojtjes.

Zonja Shekerinska përmendi lirinë e medias, shoqërinë civile, sundimin e ligjit dhe reformat e gjyqësorit si nevojat më urgjente për përmirësim. "Kjo është një detyrë e madhe, por ne duhet të tregojmë se jemi seriozë për anëtarësimin në NATO", tha ajo.

Ministrja tha se mezi pret vizitën e planifikuar të zëvendëspresidentit amerikan Mike Pence në rajon javën e ardhshme si një mundësi për Maqedoninë, si bashkëorganizatore, për të ndërtuar lidhje më të ngushta me "partnerin strategjik më të rëndësishëm".

"Është shenjë shumë e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara, lojtar kyç në NATO, e konsiderojnë Ballkanin Perëndimor një zonë që mund ta mbështesin dhe ku mund të investojnë", tha ajo.

E pyetur nëse qeveria e re është e shqetësuar për ndikimin rus në Maqedoni, zonja Shekerinska tha se përparësia e saj është "t’u zgjasë dorën dhe të ndërtojë marrëdhënie me vendet e tjera".

"Megjithatë, mesazhi ynë ndaj tyre, duke përfshirë edhe Federatën Ruse, - tha ajo, - është se ndërsa ne jemi të interesuar për marrëdhënie të ngushta dypalëshe, vendimet strategjike do të vijnë në fund të fundit nga institucionet maqedonase dhe qytetarët e Maqedonisë”.

"Hyrja në NATO dhe në BE është qëllimi ynë, bazuar në konsensusin më të gjerë në vend dhe këto çështje janë vendosur e do të vendosen vetëm nga qytetarët e këtij vendi".

Si një nga qendrat kryesore të rekrutimit për grupin e Shtetit Islamik, Maqedonia është e kërcënuar nga një rrezik në rritje i terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Zonja Shekerinska tha se kërcënimi është universal dhe kërkon ndarjen e informacionit midis vendeve.

"Maqedonia me siguri mund të kontribuojë në sigurimin e stabilitetit të rajonit, por për ta bërë këtë në mënyrë efektive, ne duhet të riorganizojmë institucionet e specializuara për të luftuar këto kërcënime. Në vitet e fundit, ato u keqpërdorën për qëllime politike, për të luftuar opozitën, në vend që të punonin për atë që duhet të bënin," tha ajo.

Ministrja e pranon se do të duhet kohë, por thotë se qeveria e re është e vendosur të bëhet një partnere në luftën kundër kërcënimeve globale të sotme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG