Lidhje

Basha mbledh grupin e ri parlamentar


Në Shqipëri, pak ditë pas rikonfirmimit të tij në krye të Partisë Demokratike, Lulzim Basha mblodhi sot grupin e ri parlamentar.

“Opozita jonë do të jetë një opozitë e cila buron nga hallet dhe problemet e njerëzve që denoncon paudhësitë, zullumet e qeverisjes së lidhur me krimin, me bandat, me drogën, me korrupsionin por që po kështu propozon në emër të qytetarëve zgjidhjet për të cilat jam i sigurtë që do të marrin jetë vetëm përmes mbështetjes në vlerat e vërteta, me opozitën e vërtetë, siç ka qënë dhe siç është Partia Demokratike, në të cilën mirëpresim këdo që është gati të bëjë opozitë por jo pazar-opozitë”, deklaroi ai në përfundim të mbledhjes.

Duke ju përgjigjur pyetjes nëse thirrja e tij ishte për Lëvizjen Socialiste për Integrim, zoti Basha tha se ajo është për këdo që do të bëjë opozitë të plotë dhe jo opozitë me kohë të pjesshme, ku diku është opozitë e diku pazar”. Zoti Basha premtoi një betejë të fortë të pakompromis dhe ballore me kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij me të cilën theksoi ai nuk i bashkon asgjë, as vizioni, as qëllimet dhe as vlerat.

Përpara zgjedhjeve të 25 qershorit zoti Basha arriti një marrëveshje me kryeministrin Rama, e cila parashikon realizimin e një reforme kushtetuese dhe zgjedhore. Kryetari demokrat evitoi një përgjigje të drejtpërdrejtë lidhur me vazhdimin e kësaj marrëveshjeje kur tha se partia e tij “do të bëjë çdo përpjekje që Shqipëria të ketë një sistem të drejtë zgjedhor. Beteja për zgjedhjet e lira dhe të ndershme do të jetë një ndër beteja kryesore”, shtoi ai.

Në parlamentin e ri opozita e djathtë do të ketë 43 deputetë, 10 më pak se sa aktualisht.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG