Lidhje

Rritja ekonomike pengohet nga mungesa e veprimit në Kongres


A television screen on the floor of the New York Stock Exchange shows the rate decision of the Federal Reserve, July 26, 2017. The Federal Reserve is keeping its benchmark interest rate unchanged at a time of low inflation, which remains persistently belo

Banka Qendrore amerikane vazhdon të ketë besim tek rritja e ekonomisë amerikane dhe mori vendim të mbajë përqindjet e interesit të pandryshuara në një nivel historik të ulët, në fund të takimit të saj dyditor të mërkurën. Në kushtet e një tregu pune të përmirësuar por edhe inflacioni të dobët, Banka Qendrore e cilësoi rritjen ekonomike në Shtetet e Bashkuara si “të moderuar”, shumë më të ngadaltë nga ç’kishte premtuar Presidenti Donald Trump. Por edhe tani, gjashtë muaj pasi zoti Trump mori detyrën, ende nuk ka pasur shumë lëvizje në drejtim të programit të tij ekonomik. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mil Arcega sjell më shumë hollësi.

Zoti Trump thotë se është merita e presidencës së tij që është rritur vlera e aksioneve dhe është ulur papunësia. Pavarësisht nga premtimet e tij të fushatës për ekonominë, pjesa më e madhe e nismave të tij ekonomike kanë ngecur në Kongres, thotë analisti financiar Tom Buerkle.

“Në realitet ajo që kemi arritur është një rritje prej dy për qind, pra ka qenë e qendrueshme por jo spektakolare”.

Buerkle thotë se mungesa e përparimit në programin ekonomik të zotit Trump është një nga arsyet që FMN-ja e ka ulur përsëri parashikimin për rritjen amerikane. Por edhe nëse ka ngadalësim, nuk është i dukshëm në Wall Street, sipas analistit të politikave Michael Strain në Institutin me prirje konservatore “American Enterprise”.

“Mendoj se po shohim një reagim ndaj mundësisë për një reformë të thellë të sistemit të taksave, mundësisë për liberalizimin e sistemit rregullator, ose ndoshta po reagojnë ndaj shpenzimeve të mundshme në infrastrukturë. Dhe mendoj se presidentit duhet t’I njihet merita për këtë”.

Por çfarë ndodh me besimin e investitorëve nëse Presidenti nuk i plotëson premtimet? Disa thonë se rritja rekord e bursës mund të mos zgjasë.

“Nuk kemi parë ndonjë hap që mund ta ruajë apo justifikojë këtë rritje”.

Megjithëse disa konservatorë i kanë dhënë presidentit nota të ulta për zbatimin, ata janë më kritikë ndaj nismave të Partisë Demokrate.

“Mendoj se një rrogë minimale prej 15 dollarësh në orë, më shumë do ta dëmtonte sesa do ta ndihmonte shtresën e punëtorëve dhe të varfrit. Mendoj se përqendrimi tek rritja e lejes për nevoja familjare, çfarëdo të mendosh për atë politikë, nëse do të ndihmosh punonjësit amerkanë, nuk është ide e mirë”.

Në mungesën e veprimit legjislativ, analisti Buerkle thotë se stabiliteti i ekonomisë duhet t’i atribuohet Bankës Qendrore.

“Për pjesën më të madhe të tetë viteve të fundit, Banka Qendrore ka qenë institucioni kryesor që ka hartuar politikat ekonomike dhe ka funksionuar. Rritja nuk ka qenë spektakolare, por ka qenë e qendrueshme.”

Nëse ekonomia amerikan vazhdon të jetë e qendrueshme, siç beson Banka Qendore, rritja e përqindjes së interesit do të jetë më graduale, si edhe do të ketë rënie në portofolin e komplikuar të letrave me vlerë që ndihmuan në rënien rekord të interesave në Shtetet e Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG