Lidhje

Greva në Venezuelë


APTOPIX Venezuela Political Crisis
APTOPIX Venezuela Political Crisis

E enjtja shënoi ditën e dytë të një greve të përgjithshme mbarëkombëtare në Venezuelë. Protestat në rrugë lanë tre të vrarë në përpjekjen e vazhdueshme të opozitës që kundërshton qeverinë socialiste të presidentit Nicolas Maduro.

Sipas prokurorëve të shtetit një person u qëllua për vdekje në pjesën perëndimore të Venezuelës, ndërsa një djalë 14 vjeçar u vra gjatë përleshjeve në kryeqytetin e vendit, Karakas. Rreth vdekjes së personit të tretë nuk u dhanë hollësi.

Miliona vetë nuk shkuan në punë të mërkurën, duke lënë rrugët dhe autostradat bosh dhe shumë biznese të mbyllura.

Greva mbarëkombëtare synon të detyrojë presidentin Maduro të anulojë votimin për krijimin e një asambleje të posaçme, që do të rishkruante kushtetutën.

Votimi është parashikuar të zhvillohet këtë të diel dhe sipas presidentit Maduro synon të rivendosë rendin në vend, ku që nga muaji prill janë vrarë më shumë se 100 persona në përleshjet pothuajse të përditshme mes protestuesve dhe forcave të sigurisë.

Vendi ndodhet në vështirësi të madhe ekonomike dhe shumë venezuelianë kanë kaluar kufirin në drejtim të Kolumbisë për të siguruar mjetet bazë të jetesës.

Udhëheqësit e opozitës thonë se Nicolas Maduro kërkon të zgjedhë një Asamble që do t’i krijonte mundësitë të merrte më shumë kompetenca për të forcuar pushtetin e tij autoritar.

Një prej udhëheqësve opozitarë Leopoldo López, u bëri thirrje venezuelianëve të vazhdojnë protestat paqësore në rrugë dhe inkurajoi ushtrinë të shpërfillë urdhrat e qeverisë për të ndalur aktivistët.

Të premten në Karakas është planifikuar të mbahet një protestë.

Ndërkohë të mërkurën Shtetet e Bashkuara njoftuan sanksione të reja kundër 13 personave të lidhur me qeverinë dhe kompaninë shtetërore të naftës “PDVSA”, në një përpjekje të mëtejshme për të ushtruar presion ndaj presidentit Maduro që të heqë dorë nga votimi i së dielës.

Një zyrtar i lartë në administratën e presidentit Donald Trump tha se personat ndaj të cilëve janë vënë sanksione përfshijnë zyrtarë dhe ish zyrtarë të lartë të lidhur me regjimin Maduros, përfshirë dy ministra të kabinetit të tij, drejtorin e komisionit kombëtar të zgjedhjeve, zv/presidentin për çështjet e financave të kompanisë PDVSA si dhe mes tyre, shefat e ushtrinë dhe policisë.

Në një deklaratë që shoqëron njoftimin për sanksionet, sekretari i Thesarit Stiven Mnuchin tha se janë të mundshme edhe sanksione të tjera pas zgjedhjeve të së dielës.

"Çdokush që zgjidhet në Asamblenë Kombëtare Kushtetuese duhet ta dijë se roli i tyre në minimin e proceseve dhe institucioneve demokratike në Venezuelë mund t'i ekspozojë ndaj sanksioneve të mundshme amerikane", tha ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG