Lidhje

SHBA-Japoni: Më shumë presion ndaj Koresë së Veriut


Presidenti amerikan Donald Trump ka nisur një tur urgjent konsultimesh diplomatike mbi provat me raketa ndërkontinentale të Koresë së Veriut. Të hënën në mëngjes me orën lokale në Japoni, zoti Trump zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin japonez Shinzo Abe për gati një orë. Sipas Shtëpisë së Bardhë të dy udhëheqësit ranë dakord se Koreja e Veriut paraqet një kërcënim të drejpërdrejtë, serioz dhe në rritje ndaj Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Koresë së Jugut e vendeve të tjera. Ata u angazhuan gjithashtu të rrisin presionit diplomatik dhe ekonomik ndaj Phenianit.

Pas bisedës telefonike, kryeministri Shinzo Abe u tha gazetarëve se ai dhe presidenti amerikan u pajtuan plotësisht "se duhen ndërmarrë veprime të mëtejshme".

"E vlerësoj shumë angazhimin e presidentit Trump për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur aleatët e tij. Tani e tutje, në unitet të plotë mes SHBA-së dhe Japonisë, do të kemi veprime të prekshme për sa i takon masave ushtarake, përmirësimit të aftësitë tona si dhe të qenit të kujdesshëm për të garantuar sigurinë e popujve tanë përballë kërcënimit të Koresë së Veriut ".

Të premten e kaluar, Koreja e Veriut kreu një provë të re me raketë balistike ndërkontinentale, e dyta në vetëm disa javë. Kjo e fundit fluturoi më lart dhe më gjatë se sa raketa e parë që Pheniani nisi më 4 korrik.

Sipas ekspertëve raketa fluturoi për rreth 45 minuta, duke arritur një lartësi maksimale prej 3 mijë kilometrash, përpara se të binte në ujrat e Detit të Japonisë, rreth 160 kilometra në perëndim të ishullit të Hokkaidos, i dyti për nga madhësia i këtij vendi.

Gjatë një vizite në Estoni të dielën nënpresidenti i SHBA-së Mike Pence tha se rreziku që paraqet Pheniani për paqen ndërkombëtare tashmë është i qartë për të gjitha kombet.

"Provokimet e vazhdueshme të regjimit mashtrues të Koresë së Veriut janë të papranueshme dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të sigurojnë mbështetjen e kombeve në të gjithë rajonin dhe në të gjithë botën për një izolim të mëtejshëm ekonomik dhe diplomatik të Koresë së Veriut. Epoka e durimit strategjik mbaroi".

Në një shfaqje force kundër Koresë së Veriut, dy aeroplanë bombardues amerikanë B-1 fluturuan mbi gadishullin Korean, të shoqëruar nga dy avionë ushtarakë të Koresë së Jugut dhe Japonisë.

Pheniani u përgjigj me një deklaratë duke thënë se prova e tij e fundit me raketë, që besohet të jetë e aftë të arrijë në kontinentin amerikan, ishte një "paralajmërim i fortë" ndaj Uashingtonit për të mos rritur sanksionet.

Ndërkohë të shtunën presidenti Trump duke iu referuar Kinës, aleatit kryesor diplomatik dhe ekonomik të Koresë së Veriut, shkroi në twitter se ai ishte "shumë i zhgënjyer" me Pekinin, që sipas tij mund ta "zgjidhte problemin me lehtësi".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG