Lidhje

Riorganizim në Shtëpinë e Bardhë


Një tjetër zyrtar i lartë u largua nga administrata Trump. Drejtori i Komunikimeve Anthony Scaramucci dha dorëheqjen 10 ditë pasi e mori këtë post në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti Donald Trump emëroi Sekretarin e Sigurisë Kombëtare John Kelly si shefin e ri të personelit, me autoritet të plotë për të rivendosur rregull në Shtëpinë e Bardhë.

Kujtojmë se në vetëm pak ditë nga Shtëpia e Bardhë janë larguar tre zyrtarë të lartë – fillimisht sekretari i shtypit Sean Spicer, më pas shefi i personelit Rince Pribeus dhe tani drejtori i komunikimit Anthony Scaramucci. Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti Donald Trump i ka dhënë autoritet të plotë shefit të ri të personelit John Kelly për të sjellë strukturë dhe disiplinë të re në administratën e tij. Një zëdhënës tha se i gjithë personeli, përfshi vajzën e presidentit, Ivanka dhe dhëndërin Jared Kushner, do të raportojnë tek zoti Kelly. John Kelly, ish sekretar i sigurisë kombëtare dhe një gjeneral i lartë i marinës në pension, bëri betimin të hënën. Brenda pak orësh Drejtorit të Komunikimeve iu dhanë të firmoste dokumentat e dorëheqjes duke sinjalizuar se gjenerali Kelly do të merrte një autoritet më të prerë nga paraardhësi i tij Reince Priebus dhe nuk donte të kishte në personel një njeri problematik si Anthony Scaramucci. Dorëheqja e zotit Scaramucci erdhi pas intervistës së tij famëkeqe me fjalë të papërshtatshme për revistën The New Yorker ku vinte në shënjestër mes të tjerash, ish shefin e personelit të zotit Trump, Reince Priebus dhe mburrej se raportonte direkt tek presidenti. Në konferencën për shtyp dje në Shtëpinë e Bardhë, sekretarja e shtypit tha se presidenti Trump e vlerësoi si të papërshtatshme gjuhën e përdorur nga Scaramucci në intervistë.

"Presidenti mendon se komentet e Anthony-t ishin të papërshtatshme për një njeri në atë pozitë dhe ai nuk donte të ngarkonte gjeneralin Kelly me këtë të kaluar."

Scaramucci kërkoi më vonë ndjesë për komentet e tij por zyrtari i Shtëpisë së Bardhë tha se nuk do të ketë një rol tjetër në administratë.

Të hënën, presidenti Trump i uroi mirëseardhjen zotit Kelly në një takim të kabinetit.

"Të gjithë e njohim. E respektojmë. E admirojmë për atë që ka bërë."

Zoti Kelly zëvendëson Rince Priebus i cili u pushua nga puna vetëm gjashtë muaj në detyrë.

Priebus ishte shefi i personelit që ka shërbyer më pak në historinë e vendit thotë profesori i shkencave politike David Cohen.

"Kur erdhi në detyrë Donald Trump vendosi një sistem të dobët për personelin. Në karrierën e tij të biznesit Donald Trump ishte mësuar që njerëzit të kishin privilegjin ta takonin dhe ai të bisedonte me shumë njerëz dhe këtë donte ta përdorte edhe në Shtëpinë e Bardhë."

Por dhënia e këtij privilegji për shumë njerëz, përfshi zotin Scaramucci, kishte krijuar kaos në administratë, thotë zoti Cohen. Kelly ka negociuar të ketë më shumë autoritet nga sa kishte zoti Priebus. Tradicionalisht, shefi i personelit është personi i dytë më i fuqishëm në Shtëpinë e Bardhë thotë zoti Cohen.

"Shefi i personelit është ai që drejton gjithë Shtëpinë e Bardhë dhe siguron që çdo gjë të ecë sipas një plani. Ai organizon personelin. Sheh rrjedhën e dokumentave dhe njerëzit që hyjnë në Zyrën Ovale për të takuar presidentin. Ai menaxhon kohën e presidentit. Pra është një njeri shumë i rëndësishëm që përcakton sesi operon Shtëpia e Bardhë."

Presidenti Trump ka premtuar t’i jap zotit Kelly autoritet të plotë mbi personelin e Shtëpisë së Bardhë por ai mohon që administrata e tij është në kaos.

Analistët thonë se suksesi i zotit Kelly në këtë post do të varet pikërisht nga fakti nëse do të ketë autoritet të plotë ndërsa sfida e tij më e madhe do të jetë bllokimi i rrjedhjes së informacionit nga Shtëpia e Bardhë në media. Ndërkohë ky riorganizim madhor vjen ndërsa ka njoftime të reja rreth takimit të djalit të presidentit Trump me një avokate ruse gjatë fushatës së vitit 2016. Gazeta The Washington Post dhe rrjeti ABC News citojnë burime të kenë thënë se presidenti Trump i ka diktuar personalisht deklaratën që djali i tij bëri në përgjigje të këtij takimi... gjë që ekipi i zotit Trump e mohoi muajin e kaluar. Është kjo ndoshta kriza e parë me të cilën do të përballet shefi i ri i personelit të Shtëpisë së Bardhë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG