Lidhje

Venezuelë, arrestohen dy udhëheqës të opozitës


A banner with the image of opposition leader Leopoldo Lopez stands outside of his home in Caracas, Venezuela, Aug. 1, 2017.

Në Venezuelë autoritetet arrestuan dy udhëheqës të opozitës nën akuzën e organizimit të protestave kundër Asamblesë së Posaçme e cila pritet të hartojë një kushtetutë të re për vendin. Lajmi u konfirmua sot prej familjarëve të tyre. Miratimi i Asamblesë kushtetuese, ka nxitur një reagim të gjerë ndërkombëtar. Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj presidentit të Venezuelës Nicolas Maduro.

Forcat e sigurisë së Venezuelës arrestuan dy udhëheqës të opozitës Leopoldo Lopez dhe Antonio Ledezman, dje në mbrëmje vonë pasi bastisën shtëpitë e tyre. Lajmi u bë i ditur sot nga familjarët. Arrestimi lidhej me protestat e kundër Asamblesë së Posaçme të denoncuar gjerësisht si anti demokratike. Në momentin kur u morrën nga forcat e policisë, Leopoldo Lopez dhe Antonio Ledezma ishin të dy nën arrest shtëpie, i pari për rolin e tij në protestat kundër presidentit Nikolas Maduro në vitin 2014 dhe i dyti nën akuzën e komplotimit të një grushti shteti.

Një video e postuar në mediat sociale tregon momentin e arrestimit të Antonio Ledezmas, nxjerrjen e tij jashtë nga shtëpia prej policëve të veshur me uniforma të Agjensisë së Zbulimit, Sebin.

Të hënën, para arrestimit, Antonio Ledezma postoi një video në internet në të cilën i bënte thirrje popullit të Venezuelës të vazhdonte luftën pas zgjedhjeve të së dielës për Asamblenë Kushtetuese. Kjo e fundit zëvendëson Asamblenë e kontrolluar nga opozita, të zhveshur tanimë nga pushteti i saj me vendim të Gjykatës së Lartë të kontrolluar nga presidenti Maduro. Të dy udhëheqësit opozitarë janë ish kryetarë të bashkisë së kryeqytetit, Karakas dhe kritikë të fortë të presidentit Maduro.

Dje Shtetet e Bashkuara e quajtën të paligjshme zgjedhjen e asamblesë dhe vendosën sanksione ndaj presidentit Maduro.

Të gjitha pasuritë e tij në Shtetet e Bashkuara janë të ngrira dhe amerikanët janë të ndaluar të bëjnë biznes me të.

Por sipas analistit amerikan Michael O'Hanlon sanksionet vështirë se mund të jenë zgjidhja për problemet e Venezuelës.

Nuk e shoh si një gjë që funksionon vendosjen e sanksioneve ndaj bizneseve veçanta ose individëve të veçantë nga Venezuela, duke i ndaluar ata të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara apo të mbajnë para në bankat amerikane. Këta njerëz kanë provuar tashmë se janë shumë të gatshëm të bëjnë çdo gjë për të mbajtur pushtetin edhe pse vendi i tyre ndodhet në gjendje të vështirë ekonomike si dhe është një nga vendet më të dhunshëm në tokë, pa ndonjë shpresë reale për përmirësim të situatës. Jam shumë i trishtuar për Venezuelën. Mendoj se duhet të kemi një qasje ndryshe dhe të mendojmë opsione shumë më radikale nëse vërtet duam të përpiqemi ta zgjidhim këtë problem ", thotë Michael O'Hanlon i Institutit “Brookings”.

Presidenti Maduro u tregua indiferent ndaj sanksioneve, duke i quajtur ato shenjë "dëshpërimi dhe urrejtjeje" të presidentit Donald Trump.

Sekretari amerikan i Thesarit nuk komentoi lidhur me mundësinë e sanksioneve të tjera në të ardhmen, përfshirë dhe ndalimin e eksporteve të naftës nga Venezuela.

Ndërkohë Bashkimi Evropian ka reaguar duke bërë të ditur se gjithashtu nuk do ta njohë asamblenë e sapoformuar. Këtij qëndrimi i janë bashkuar edhe Kanadaja, Spanja dhe pothuajse çdo vend i Amerikës Latine.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG