Lidhje

Arrestohet kreu i Inspektoriatit të Ndërtimit në Vlorë


​Policia e Vlorës arrestoi Kryeinspektorin e Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Vlorës, Kledjon Rama, të akuzuar nga Prokuroria për shpërdorim detyre. Prokuroria e Vlorës tha se nga hetimet kanë rezultuar se vetëm për gjashtë muajt e parë të vitit 2017 janë referuar dhe regjistruar në regjistrin e veprave penale, 81 materiale për ndërtim të paligjshëm.

Sipas Prokurorisë së Vlorës nga administrimi i materialeve rezulton se në asnjë prej rasteve Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, pranë Bashkisë së Vlorës, nuk ka paraqitur kallëzim penal.

Prokuroria ka pohuar se edhe “nga administrimi i dokumenteve pranë Inpektoriatit në Bashkinë Vlorë, rezulton se ky institucion nuk ka mbajtur asnjë procedurë administrative në lidhje me 81 rastet”. Prokuroria e Vlorës ka ngarkuar me pergjegjësi Kryeinspektorin pranë Bashkisë së Vlorës, për veprime dhe mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të detyrës dhe në kundërshtim me ligjin “Për Inspektimin e Ndërtimit”.

Bien ndërtimet me leje shtohen ndërtimet pa leje

Të dhënat zyrtare të Institutit shqiptar të Statistikave flasin se lejet e ndërtimit po pësojnë një kufizim të ndjeshëm në shumicën e Qarqeve në Shqipëri, përjashtuar Tiranën dhe zonat bredgetare.

Sipas të dhënave zyrtare në tremujorin e parë të vitit 2017 në Qarkun e Gjirokastrës u miratua vetëm një leje ndërtimi për banim, me rreth 200 metër katrorë. Punimet e tjera të ndërtimit në këtë qark i përkasin investimeve publike të kryera nga fondet e buxhetit të shtetit, qeverive vendore apo të dhuruesve të huaj. Edhe gjatë vitit 2016 në këtë qark ishte dhënë vetëm një leje ndërtimi, ndërkohë që viti me numrin më të madh të lejeve të lëshuara ishte viti 2011 kur u dhanë 49 leje.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave në Shqipëri gjatë harkut kohor 2011 - 2015 janë miratuar 2.551 leje ndërtimi në shkallë vendi pjesa më e madhe e të cilave janë përqëndruar në Qarkun e Tiranës me 23, 6 %, të Durrësit me 18, 3 % dhe Vlorës me 17, 7 %.

Por ndërsa numri i lejeve të lëshuara nga autoritetet vjen në rënie është rritur numri i ndërtimeve të paligjshme. Të dhënat e policisë shqiptare flasin se vetëm në tre mujorin e dytë të vitit 2017 u shënuan 696 ndërtime të paligjshme me 754 autorë, nga 402 raste ndërtimesh pa leje që ishin për të njëjtën periudhë të vitit 2016, me 448 autorë.

Periudha e këtij viti përkon me fushatën zgjedhore ku në Shqipëri është kthyer në traditë” favorizimi për efekte elektorale. Fushata e zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit u shoqërua me rritje të ndërtimeve, sidomos në zonë bregdetare ku kontrolli i territorit ende paraqitet me mjaft probleme. Qeveria ashpërsoi dy vite me parë penalitetet për ndërtimet e paligjshme të cilat shkojnë me dënime me burg për autorët, por strukturat shtetërore kanë një shkallë të ulët të zbatimit të ligjit. Problemet më të mëdha vihen re me lejimet selektive të ndërtimeve pa leje të cilat nuk parandalohen që në fazat e para nga strukturat ligj-zbatuese.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG