Lidhje

Trump, presion tregtar ndaj Kinës


Presidenti i SHBA Donald Trump së shpejti do të përpiqet të rrisë presionin ndaj Kinës që ajo të ndryshojë praktikat e saj tregtare dhe të bëjë më shumë për të ndalur programet e armëve të Koresë së Veriut.

Sipas njoftimeve në shtypin financiar, Presidenti Trump mund të nënshkruajë të premten një urdhër për të filluar hetimet rreth kërkesave që thuhet se Kina u bën kompanive të huaja që ato t’i japin asaj sekrete teknologjike në këmbim të hapjes së tregut të madh kinez për këto firma.

Hetimi mund të çojë në rritjen e tarifave ndaj prodhimeve kineze të destinuara për në tregun amerikan, më i madhi në botë. Ekspertët e tregtisë paralajmërojnë se një hap i tillë mund të shkelë angazhimet e SHBA në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Sekretari amerikan i tregtisë Wilbur Ross kohët e fundit ka shkruar se praktikat tregtare të Kinës, duke përfshirë transferimin e detyruar të teknologjisë, janë të padrejta, dëmtojnë eksportet e SHBA dhe kontribuojnë në deficitin prej 347 miliardë dollarësh në tregtinë e mallrave midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Kur ishte kandidat për president, zoti Trump e kritikonte ashpër Kinën në çështjet e tregtisë. Ai ka thënë gjithashtu se Kina, si fqinjë e Koresë së Veriut dhe partnerja kryesore tregtare e saj, mund të bëjë shumë më tepër për të ndalur përpjekjet e Phenianit për të përmirësuar armët bërthamore dhe raketat balistike.

Ekspertët e SHBA paralajmërojnë se provat e Koresë së Veriut me raketa dhe bomba bërthamore tregojnë se Pheniani është një kërcënim në rritje për Shtetet e Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG