Lidhje

Kongresi fillon pushimet – hetimi për Rusinë vazhdon


Ligjvënësit amerikanë si dhe Presidenti Donald Trump janë larguar nga Uashingtoni për disa javë për pushimet e verës, por hetimi ndaj ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane vazhdon. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Bowman, para se Senati të mbyllte punën javën e kaluar, u paraqit një projekt-ligj dypartiak për të mbrojtur prokurorin e posaçëm për hetimin e Rusisë, Robert Mueller, në rast se presidenti kërkon ta shkarkojë atë.

Para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë për pushime, Presidenti Trump foli për një mori lajmesh të mira ekonomike:

“Niveli i papunësisë është më i ulti në 16 vjet, rritja e PBB-së për tremujorin e fundit shkoi në 2.6 përqind. Prosperiteti po kthehet përsëri pasi ne, po e vendosim prioritetin tek punëtorët dhe familjet amerikane.”

Por hetimi për Rusinë vazhdon të jetë një irritim i përhershëm për një president që e ka etiketuar atë disa herë si gjueti shtrigash. Trump ka shkarkuar tashmë personin që dikur drejtonte hetimin për ndërhyrjen ruse në zgjedhje në Departamentin e Drejtësisë, ish drejtorin e FBI-së James Comey.

“FBI-ja do të jetë mirë pa mua. Misioni i FBI-së do të vazhdojë pa ndërprerje”, tha ish drejtori i FBI-së James Comey.

A mund të shkarkojë tani Presidenti Prokurorin e Posaçëm, Robert Mueller? Shtëpia e Bardhë po e minimizon, por nuk po e përjashton këtë mundësi.

“Presidenti as që e ka diskutuar këtë. Presidenti nuk ka diskutuar shkarkimin e zotit Mueller”, thotë Kellyanne Conway, këshilltare e Presidentit.

Është propozuar një legjislacion që do ta bënte të vështirë shkarkimin e zotit Mueller apo çdo hetuesi të pavarur në të ardhmen.

“Legjislacioni i jep presidentit mundësinë të këshillohet me Prokurorin e Përgjithshëm dhe Departamentin e Drejtësisë për shkarkimin e një prokurori të posaçëm, por kërkon gjithashtu që rasti të shqyrtohet në gjykatë në mënyrë që të sigurohemi se kjo bëhet për arsyen e duhur”, thotë senatori republikan Thom Tillis.

Presidenti e ka kritikuar vazhdimisht hetimin për Rusinë por zoti Mueller vazhdon të gëzojë një reputacion të mirë në Kongres.

“Bob Mueller është një nga zyrtarët më të respektuar të zbatimit të ligjit në historinë moderne të Amerikës. Kujtoj se ai është një republikan që u emërua nga një republikan…Është në interesin e presidentit Trump, është në interesin e mbrojtjes së rendit, që Bob Mueller të lejohet të vazhdojë hetimin deri në fund”, thotë Chris Coons, senator demokrat.

Ndërkohë, aleatët e presidentit argumentojnë se hetimi prej disa muajsh nuk ka zbuluar pothuajse asgjë.

“Na u premtuan prova të drejtpërdrejta për ndërhyrje dhe ndryshim të rezultatit të zgjedhjeve… nuk ka asgjë të tillë.”

Javën e kaluar, Mueller njoftohet se ka ngritur një juri të madhe për të shqyrtuar provat dhe dëshmitë e mbledhura në hetim, një masë që mund të çojë ose jo, në ngritjen e akuzave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG