Lidhje

Koreja e Veriut kundër thirrjeve për të ndalur programin bërthamor


Koreja e Veriut bëri të ditur të hënën se do të vazhdojë programin e saj të armëve bërthamore, duke hedhur poshtë thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për të frenuar veprimet e saj ushtarake agresive.

Misioni i Phenianit në Kombet e Bashkuara pretendoi se sanksionet e reja të Kombeve të Bashkuara kundër Koresë së Veriut lidhur me provar e saj me raketa ishin një "shkelje flagrante ndaj sovranitetit të vendit". Mediat shtetërore pretenduan se ato ishin rezultat i një "komploti të urryer të SHBA-së për të izoluar dhe mbytur" vendin komunist.

Koreja e Veriut tha se kurrë nuk do të negociojë programin e armëve bërthamore apo të raketave balistike si dhe se do t'i jepte Shteteve të Bashkuara një "mësim të ashpër" me forcë bërthamore strategjike, nëse Uashingtoni ndërmerrte veprime ushtarake. Komentet u bënë gjatë një takimi rajonal të vendeve të Azisë Juglindore në Manila.

Ndërkohë sekretari amerikan i shtetit Rex Tillerson tha të hënën se hapi më i mirë që Koreja e Veriut mund të ndërmerrte për të sinjalizuar se është gati për dialog, do të ishte ndalimi i provave me raketa.

Zoti Tillerson foli për gazetarët në Manila, ku ndodhet për të marrë pjesë në Forumin Rajonal të Vendeve të Azisë Juglindore.

Sipas tij votimi njëzëri i së shtunës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për miratimin e sanksione të reja kundër Koresë së Veriut si përgjigje ndaj provave me raketa balistike, dërgon mesazhin se e gjithë bashkësia ndërkombëtare i sheh veprimet e vendit të papranueshme dhe se pritshmëritë e tyre janë një gadishull Korean i çnuklearizuar.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Donald Trump dhe ai i Koresë së Jugut Moon gjatë një bisede telefonike u angazhuan të zbatojnë plotësisht të gjitha rezolutat e Kombeve të Bashkuara lidhur me Korenë e Veriut dhe të "nxisin bashkësinë ndërkombëtare që të bëjë të njëjtën gjë".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG