Lidhje

Besimtarët e Vjetër Rusë të Alaskës


Alaska është shteti më i madh por më pak i populluari i Amerikës. Atje jetojnë diçka më shumë se 741 mijë banorë - punëtorë të industrisë së naftës, aventurierë nga mbarë Amerika, vendas dhe emigrantë. Brenda këtij mozaiku kompleks kulturor ekziston një grup i njohur si Besimtarët e Vjetër Rusë. Rreth 50 vjet më parë, ata krijuan një fshat të quajtur Nikollajevsk në gadishullin Kenai të Alaskës. Natasha Mozgovaya e Zërit të Amerikës ishte në Alaskë dhe na dërgoi këtë material.

Besimtarët e Vjetër u ndanë nga Kisha Ortodokse Ruse në shekullin e 17-të, për shkak të ndryshimeve të imponuara nga patriarku. Kjo si dhe ndryshimi i gjendjes politike, i detyroi shumë njerëz të iknin nga Rusia.

"Me ardhjen e komunizmit, në fillim ishte mirë, por më pas ata na vinin nëpër kasolle dhe na merrnin çdo gjë. Njerëzit tanë ishin mësuar të kishin familje të mëdha njësoj si ne tani. Por ata duhej të ushqenin fëmijët, ndërsa qeveria vinte dhe ua merrte të gjitha. Nënat qanin: si do t’i ushqejmë fëmijët tani? Ata përgjigjeshin: ‘Hidhuani fëmijët qenve, le t’i hanë ata…"

Të frikësuar nga arrestimi, besimtarët e vjetër kaluan kufirin për në Kinë, ku jetonin me gjueti.

"Unë kam lindur në Kinë, jetuam atje për një kohë, por jeta u keqësua nën komunizëm. Prindërit tanë u përpoqen të iknin nga komunistët, shkuan nga Rusia në Kinë, pastaj u larguam nga Kina për të njëjtën arsye - shkuam në Brazil, dhe nga Brazili në Oregon," thotë e veja e priftit, Irina Fefelova.

Një pjesë e komunitetit u vendos në Oregon, të tjerë shkuan në Alaskë, kufiri i fundit. Familja Fefelov kishte tashmë shtatë fëmijë. Katër të tjerë lindën në Alaskë.

"Ne i morëm fëmijët në male, për të shpëtuar besimin te Jezusi, sepse fëmijët janë fëmijë, ata enden nëpër qytet... Peshkimi këtu ishte i mirë për të jetuar. Këtu nuk banonte askush, ishim ne që e filluam. Më vonë filluan të vijnë amerikanët. Atyre u pëlqen këtu, sepse është qetësi, ka shumë pak njerëz, jo shumë makina."

Në Alaskë, ata ende luten në një gjuhë të lashtë, në sllavishten e Kishës së Vjetër. Por brezi i ri preferon anglishten.

"Fëmijët tanë flasin rusisht mirë, sepse flisnim rusisht në familje. Por fëmijët e tyre nuk flasin rusisht dhe kjo është për të ardhur keq. Kur mbarojnë lutjet, prifti fillon t'u lexojë, por të gjitha janë në anglisht, sepse fëmijët nuk kuptojnë asnjë fjalë."

Në fshat jetojnë rreth 300 njerëz. Burrat merren me peshkim, herë pas here ndërtojnë anije dhe ky zanat e bënte dikur Nikolajevskin të famshëm.

"Ne kemi ndërtuar mbi 100 anije peshkimi. Tani ato po vjetërohen, por ende mund të përdoren. Në vend që të porositin të reja, njerëzit i shesin ato që kanë."

Gratë në Nikolaevsk veshin sarafanin tradicional rus, që ato e qepin veten. Burrat mbajnë mjekra dhe veshin këmisha ruse. Dhe këto nuk u duken aspak të çuditshme njerëzve në qytetet fqinje.

"Ne kemi 40 vjet që jetojmë këtu... për disa turistë këto mund të jenë veshje të çuditshme, por jo për ata që na njohin."

I lindur në Brazil, Denis Fefelov erdhi në SHBA kur ishte tre vjeç. Ai është djali i priftit të moshuar Kondrat Fefelov, që i përket Besimtarëve të Vjetër rusë. Denis u mëson fëmijëve këngët e kishës. Ai flet rrjedhshëm gjuhën ruse si dhe sllavishten e vjetër. Por në mbrëmje ai i ndjek lajmet në anglisht. Kondrat nuk heziton kur pyetet për kombësinë e tij:

"Sigurisht që jam amerikan,” thotë ai.

Në shtëpinë e nënës Irina, ka një raft të mbushur me libra kishtarë - disa të kopjuar me dorë nga bashkëshorti i saj. Në një qoshe janë vendosur ikona dhe sende të tjera, së bashku me një portret të ish presidentit amerikan John F. Kennedy.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG