Lidhje

Presidenti Trump përballë sfidave të politikës së jashtme


Presidenti Donald Trump është duke u përballur me sfidën më të madhe të politikës së jashtme deri më sot – një Kore Veriore me armë bërthamore.

Sfida e tanishme përkon me sondazhet e reja që tregojnë se mbështetja politike për presidentin në vend është dobësuar për shkak të paqartësive rreth rolit të tij udhëheqës dhe axhendës së tij të brendshme, e cila nuk po avancon siç ishte premtuar.

Ndërsa presidenti përballet me krizën e tij të parë në politikën e jashtme, vëmendja kryesore është përqendruar te paralajmërimi i tij i hapur ndaj Koresë së Veriut.

"Ata do të përballen me zjarr, me furi dhe sinqerisht me një fuqi që kjo botë nuk e ka parë kurrë më parë", tha Presidenti.

Komentet e zotit Trump janë për të ardhur keq, thotë ish-ambasadori Bill Richardson.

"Megjithatë mendoj se tani presidenti ka një shans për të bashkuar vendin, për t’i treguar vendit se cila është politika e tij, por më e rëndësishmja, të bëjë thirrje për qetësi", tha zoti Richardson.

Amerikanët janë mësuar tashmë me retorikën e ashpër të zotit Trump kur ai ishte kandidat për president.

Tani që është president, standardi është i ndryshëm, thotë analisti politik Larry Sabato, i Universitetit të Virxhinias:

"Ai është shumë impulsiv. Mund të argumentohet se jashtë vendit kjo është diçka pozitive kur armiqtë dhe kundërshtarët mendojnë se kanë të bëjnë me dikë që nuk e mban dot gjakftohtësinë. Mirëpo, kur kemi të bëjmë me armë bërthamore, është në interesin e të gjithëve, duke përfshirë Amerikën, për të patur dikë me gjykim të ftohtë.

Por mbështetësit e zotit Trump thonë se pikërisht paralajmërimi i hapur është ajo që presin të shohin përkrahësit e tij.

"Kjo nuk është Shtëpia e Bardhë e Presidentit Obama por e Presidentit Trump. Ne nuk pyesim kundërshtarët se çfarë duhet të bëjmë,” thotë këshilltari i Presidentit, Sebastian Gorka.

Sfida me Korenë e Veriut vjen pas sondazheve të fundit që tregojnë se mbështetja për presidentin brenda vendit ka rënë mjaft, madje edhe midis republikanëve.

"Në fillim, shumica dërrmuese e njerëzve që votuan për të e mbështetën fuqimisht zotin Trump. Tani, në shumicën e sondazheve, mbështetja është diku midis 17 dhe 24 përqind", thotë Larry Sabato.

Presidenti Trump përballet me ngecjen e axhendës së tij në Kongres dhe shpesh kërkon mbështetjen e bazës së tij, siç bëri kohët e fundit në Virxhinian Perëndimore.

Rikthimi te baza nuk është për t’u habitur, thotë analisti Jeremy Mayer i UNiversitetit George Mason:

"Sipas standardeve normale presidenciale, ai po dështon. Por ai nuk është president normal, dhe shumë njerëz të bazës së tij e pëlqejnë faktin që ai krijon kaq shumë të papritura.”

Sondazhet e fundit tregojnë se shumica e amerikanëve e shohin Korenë e Veriut si kërcënim serioz.

Por vetëm një e treta e të anketuarve thanë se kishin besim në aftësinë e presidentit për ta zgjidhur situatën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG