Lidhje

PD: T’i hiqet imuniteti deputetit Rakipi


Në Shqipëri, Partia Demokratike në opozitë, i kërkoi sot “Prokurorit të Pergjithshëm dhe Kreut të Parlamentit të nisin urgjent proçedurat e heqjes se imunitetit të deputetit Aqif Rakipi” i cili u përfshi fundjavën e shkuar në një aksident rrugor i cili i mori jetën një 53 vjeçari në autostradën Durrës-Tiranë. Rakipi, deputet i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), ishte duke drejtuar automjetin e tij kur shtypi 53-vjeçarin, i cili sipas rrëfimit të deputetit, i kishte prerë papritur rrugën. Edhe ekspertiza nxorri fajtor viktimën e aksidentit, ndërsa deputeti Rakipi po hetohet në gjendje të lirë për “Shkelje të rregullave të qarkullimit” dhe “Largim nga vendi i ngjarjes”.

Deputeti i PDIU-së ka treguar për mediat se pas aksidentit ai ka ndaluar dhe më pas është drejtuar menjëherë drejt komisariatit të policisë. Por sipas PD-ës “neni 273 i Kodit Penal, i cili është në fuqi edhe për miqtë e Edi Ramës, dikton se Aqif Rakipi mban përgjegjësi edhe për largim nga vendi i aksidentit, përgjegjësi që në vetvete dënohet deri në 1 vit burgim”, thekson deklarata e Partisë Demokratike e cila shton se “i gjithë shteti është vënë deri tani në shërbim të deputetit mik të Ramës, dhe në kurriz të viktimës. Gjithcka për ta paraqitur viktimën fajtor të aksidentit dhe fajtorin viktimë”. Sipas PD është i nevojshëm “një hetim të plotë dhe i pandikuar i ngjarjes, në mënyrë që të ketë drejtesi për viktimën”.

Pas deklaratës së PD-ës, ka reaguar dhe PDIU-ja duke i bërë “thirrje Partisë Demokratike në mjerim të mos bëjë rolin e hienave me një rast të një aksidenti tragjik që urojmë mos t'i ndodhë kërkujt. Ndërhyrja politike dhe në raste të tilla aksidentesh është një politikë e mjerë jashtë çdo standardi demokratik dhe mënyra më absurd për të bërë opozitë”, thekson deklarata e PDIU-së.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG