Lidhje

Ana krijuese e kodimit kompjuterik


Ekziston mendimi i përgjithshëm se programuesit e kompjuterave duhet të kenë aftësi të larta teknike dhe të jenë të mirë në matematikë dhe logjikë. Por një tjetër aftësi në botën teknologjike është po aq e rëndësishme, krijimtaria. Materiali në vazhdim na njeh me një lojë elektronike që u mëson fëmijëve anën krijuese të gjuhës programuese.

Dylan dhe Meghan Dodge duket se po lozin në kompjuter, por aktualisht ata po kompozojnë muzikë duke krijuar një kod të thjeshtë kompjuterik.

“Është një aftësi analitike që u nevojitet fëmijëve që po rriten në këtë epokë të re”, thotë e ëma e tyre Tanya Dodge.

Por gjuha programuese duhet të jetë më shumë se sa një aftësi analitike, thonë krijuesit e lojës kompjuterike Osmo Coding Jam. Felix Hu është inxhinier me kompaninë OSMO.

“Synimi ishte eksplorimi i anës krijuese të programimit që shpesh nuk del në dritë.”

Eric Uchalik është drejtor arti i lojës Coding Jam.

“Ka ngjajshmëri me lojën me lego ku fëmijët kanë qef të ndërtojnë, në këtë rast në vend të ndërtimit të një shtëpie apo kështjelle, ata ndërtojnë reshta programimi.”

“Futja në teknologji e anës artistike po i bën gjërat më tërheqëse. Nuk është vetëm kodimi dhe shtypja e butonave por edhe përjetimi i asaj që krijon. Mendoj se kjo nuk mund të arrihet pa patur një lidhje me anën artistike”, thotë Tanya Dodge.

Sipërmarrësit thonë se programimi duhet parë si një mjet për njerëzit që ta përdorin për krijimin e gjërave që duan. Kodimi u përdor për ndërtimin e kësaj loje, dhe fëmijët përdorin butona kodimi për të kompozuar muzikë. Ja si shprehet inxhinieri Felix Hu:

“Pjesa më e mirë është se po u mësojmë fëmijëve se si të jenë krijues me kodimin. Është e rëndësishme që fëmijët të ndihen rehat kur merren me këtë punë.”

Më shumë fëmijë po mësojnë gjuhën programuese, ndërsa hulumtuesit shohin se më shumë prindër po e konsiderojnë kodimin si një gjuhë të dytë në mënyrë që fëmijët të kenë suksese në të ardhmen.

“Mendoj se në epokën dixhitale është e rëndësishme që së paku të kesh disa njohuri mbi konceptin e kodimit kompjuterik”, thotë Tanya Dodge.

“Nuk duam të krijojmë vetëm krahë pune. Duam të krijojmë krijues”, thotë Eric Uchalik.

Nxjerrja në pah e anës krijuese të trurit, thonë specialistët e kodimit, është po aq e rëndësishme sa të mësosh gjuhën e kodimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG