Lidhje

Presidenti Trump do të njoftojë strategjinë e re në Afganistan


Në një fjalim që do të mbajë sonte, presidenti Donald Trump do të bëjë publike strategjinë e re amerikane në Afganistan, 16 vite pas fillimit të luftës atje. Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis u shpreh i kënaqur me procesin që ndoqi administrata Trump për hartimin e politikës së re.

Sekretari i mbrojtjes Jim Mattis nuk u dha asnjë hollësi gazetarëve mbi strategjinë e re të Shteteve të Bashkuara në Afganistan. Ai tha se detajet do t’i njoftonte presidenti Trump.

"Për sa i takon kësaj çështjeje, presidenti ka marrë një vendim. Ai dëshiron t’ia njoftojë vetë popullit amerikan, kështu që unë nuk do të flas deri atëherë".

Të premten presidenti u takua me këshilltarët ushtarakë dhe të sigurisë kombëtare për të vendosur se çfarë do të bëhet me luftën në Afganistan. Një ditë më vonë, ai njoftoi në twitter se lidhur me çështjen ishte marrë një vendim por nuk dha hollësi.

Lufta 16 vjeçare në Afganistan është më e gjata në historinë e amerikane. Opsionet në shqyrtim përfshijnë dërgimin e mijëra trupave të reja atje ose tërheqjen e tyre tërësisht, duke lënë kontraktorët privatë të ndihmojnë në menaxhimin e situatës së sigurisë.

Sekretari i mbrotjes Jim Mattis tha se ishte i kënaqur me procesin e vendimmarrjes.

"Jam shumë i kënaqur që procesi strategjik ishte tërësisht rigoroz dhe nuk ndoqi ndonjë kusht paraprak, sa i takon pyetjeve që duheshin bërë apo vendimeve që duheshin marrë".

Udhëheqësit ushtarakë amerikanë e kanë vlerësuar situatën aktuale në Afganistan si “rrugë pa krye”, në kushtet kur talebanët po përparojnë aty dhe në rajonin kufitar të Pakistanit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG