Lidhje

Kryeministrat e Ballkanit mblidhen në Durrës


Kryeministrat e vendeve të Ballkanit të mbledhur sot në qytetin e Durrësit në Shqipëri, vendosën për një angazhim në nivel të lartë për vënien në jetë të Planit të Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale. Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn, i pranishëm në takim nënvizoi rëndësinë e Zonës ekonomike për zhvillimin e rajonit. Duke folur për ecurinë marrëdhënieve mes Bashkimit europian dhe Shqipërisë, ai tha se nuk mund të jepte një datë për nisjen e bisedimeve për anëtarësim

Me nismën e kryeministrit shqiptar, krerët e qeverive të Ballkanit perëndimor, u bashkuan sot në Durrës për të diskutuar rreth përshpetimit të procesit të integrimit, me një fokus të veçantë ndaj bashkëpunimit ekonomik. Gjashtë javë pas takimit të Triestes, etapa e radhës e procesit të Berlinit, ku ata kishin rënë dakort për krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale, , në Durrës ata diskutuan për vënien në jetë të Planit të Veprimit për zbatimin e kësaj nisme, sepse siç theksoi dhe komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn “të biesh dakort është një gjë dhe t’i zbatosh është tjetër gjë dhe kjo ka qenë pika e dobët jo vetëm në Ballkan”.

Krerët e qeverive vendosën që brenda muajit shtator secili nga vendet do të emërojë një koordinator të posaѯëm për ndjekjen nga afër të këtij procesi, i cili për komisionerin Hahn është në radhë të parë e një rëndësie të veçantë për vetë vendet e Balkanit dhe qytetarët e tyre. “Në 10 vitet e fundit eksportet drejt BE-së janë dyfishuar, duke arritur në 46 miliard euro, por tregtia mes vetë vendeve të rajonit ka mbetur në vend. Kjo tregon se ka shumë potencial”, tha ai.

Nga ana e tij kryeministri Rama theksoi se “në nivelin politik ka një dakortësi të plotë, një sinergji e plotë është dhe me Komisionin Europian. Po ashtu Banka Botërore është përfshirë me kërkesën e vetë vendeve të Ballkanit në mënyrë të plotë. Kemi një plan veprimi me rreth 115 pika, në funksion të një transformimi rrënjësor në kuadrin e lëvizjes së mallrave, shërbimeve, të kapitalit të punonjësve të kualifikuar që do ta bëjnë rajonin shumë më tërheqës për investime, shumë më fleksibël për shkëmbimet e brendshme tregtare, duke përshpejtuar afrimin me Bashkimin Europian dhe njëkohësisht duke përshpejtuar ritmet e rritjes ekonomike dhe të mirëqenies”

Si zoti Hahn dhe kryeministri shqiptar u ndalën më pas rreth procesit të integrimit të Shqipërisë dhe avancimin e tij. Vitin e kaluar Komisioni europian i rekomandoi vendeve anëtare hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë me kusht që të nis zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe veçanërisht procesi i rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve i cili pritet të nis plotësisht në muajin shtator. Por komisioneri Hahn tha sot se nuk mund të flasë ende për një datë për hapjen e bisedimeve, “sepse varet dhe nga zgjuarsia politike, që do të thotë të bësh hapin e duhur në momentin e duhur, në mënyrë që raporti që ne do të përgatisim, të pranohet nga vendet e anëtare. Pra bëhet fjalë për cilësinë dhe jo shpejtësinë”,

Komisioneri Hahn tha se pas zgjedhjeve të 25 Qershorit “nuk mund të ketë më justifikime dhe se ishte i sigurt se shumë shpejt do mund të shihen rezutatet e para mbi të “famshmin” proces të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe për shumë çështje të tjera”, ndërsa foli për “një progres të jashtëzakonshëm në luftën kundër kultivimit të kanabisit”.

Megjithatë Shqipëria është vënë së fundi sërish në qendër të shqetësimeve të disa vendeve europiane, veçanërisht Francës për rritjen e numrit të azilkërkuesve. “Nuk do të ishte realiste të besohej se një shqiptar do të merrte azil. Eshtë një përpjekje e kotë. Ju lutem mos e bëni, sepse dëmtoni dhe vendin tuaj. Ne mirëpresim përpjekjet e vendit tuaj për të ulur numrin e azilkërkuesve”, u shpreh komisioneri Hahn.

Nga ana e tij kryeministri Rama tha se përpjekja për të kufizuar fluksin e azilkërkuesve po jep rezultate inkurajuese” duke shtuar se sipas tij “është e qartë se nuk ka shqiptarë azil kërkues por shqipëtar që kërkojnë një jetë më të mirë”, deklaroi nga ana e tij kryeministri Rama. Duke ju referuar zhurmës, jo vetëm mediatike ndaj këtij problemi ai tha se refuzonte të pranonte shënjestrimin e shqiptarëve qofshin ata azilkërkues qofshin ata që bëjnë krime si një arsye për të treguar me gisht Shqipërinë. Kriminelët – shtoi zoti Rama - janë kriminelë kudo e padallim, nuk kanë flamur e kombësi, ka thjesht raport me ligjin dhe në këtë aspekt, ai e quajtu të papranueshme “çdo përpjekje politike e mediatike për arsye të brendshme për të treguar një të ashtuquajtur krim shqiptar apo ballkanik”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG