Lidhje

Kryeministri Rama prezanton qeverinë e re

  • Armand Mero

Kryeministri Edi Rama

Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama prezantoi sot kabinetin e ardhshëm qeveritar, me të cilin do të drejtojë vendin në mandatin e tij të dytë pas fitores së zgjedhjeve të 25 Qershorit. Numri i ministrive reduktohet në 11 nga 16 të tilla që janë aktualisht. Ndërsa gjysma anëtarëve të ekzekutivit të ri do të jenë gra. Kryeministri premtoi një qasje të re në raport me njerëzit veçanërisht në shërbimet që ofrohen por dhe me opozitën duke uruar që të vazhdonte bashkëpunimi i nisur me marrëveshjen e 17 majit me kreun demokrat Lulzim Basha.

Dy muaj pas fitores në zgjedhjet e 25 qershorit kryeministri Edi Rama, paraqiti sot strukturën e re të qeverisë së ardhshme dhe figurat e përzgjedhura për të qenë pjesë e kabinetit të tij. Si rrallë më parë, edhe vetë socialistët nuk kishin dijeni për projektin e kryeministrit deri në momentin e fundit kur ai vetë në sallën e mbledhjes së Asamblesë kombëtare shqiptoi një nga një emrat e ekzekutivit të ardhshëm, ku nuk munguan edhe surprizat.

Në krah të tij, në postin e zëvendëskryeministres, u propozua Senida Mesi, deputete e Shkodrës. Për herë të parë parashikohen dy Ministra Shteti, me kompetenca të reja, njëri për Diasporën dhe tjetri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, detyra që do të mbulohen respektivisht nga Pandeli Majko, një nga emrat e njohur, ish kryeministër dhe ish ministër në qeveritë e mëparshme socialiste të fundviteve ’90 dhe fillim viteve 2000, dhe Sonila Qato, aktualisht drejtoreshë e Agjencisë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Emri i katërt i ri në kabinet është ai i ministrit të Drejtësisë, Etilda Gjonaj, aktualisht zëvendësministre e këtij dikasteri.

Në krye të Diplomacisë është rikonfirmuar Ditmir Bushati, të cilit do t’i duhet të drejtojë dhe procesin e integrimit europian, i mbuluar deri më tani nga një ministri më vete, që do të shkrihet. Në krye të ministrisë së Brendshme rikthehet Fatmir Xhafa, i cili la gjurmë në drejtimin e këtij dikasteri, ndonëse për një periudhë të shkurtër në pranverën e këtij viti. Ndryshim pëson Mbrojtja, ku zonja Mimi Kodheli zëvendësohet nga një tjetër grua, Olta Xhaçka. Në krye të ministrisë së Energjitikës mbetet Damian Gjiknuri. Këtij dikasteri i shtohet dhe Infrastruktura. Arben Ahmetaj kthehet në krye të Financave por duke marrë këtë herë dhe Ekonominë. Ndërsa në drejtimin e Shëndetësisë do të jetë sërish Ogerta Manastirliu, e cila në kabinetin e mëparshëm kishte zëvendësuar Ilir Beqen. Zonja Mirela Kumbaro mbetet në krye të Kulturës, ashtu si dhe Lindita Nikolla së cilës përveç Arsimit dhe Sporteve i shtohet dhe Rinia. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i është besuar ish zvëndëskryeministrit Niko Peleshi, ndërsa zoti Blendi Klosi rikthehet në qeveri në krye të një ministrie të re, asaj të Turizmit dhe Mjedisit.

Por përpara se të zbulonte strukturën dhe përbërjen e ekzekutivit të ri, kryeministri Rama mbajti një fjalim të gjatë për sfidat që presin Partinë socialiste e cila në ndryshim nga katër vitet e kaluara do të drejtojë e vetme vendin. “Fitorja e 25 qershorit mund të jetë për ne, për partinë socialiste, e para e një epoke të re politike për Shqipërinë, ose e fundit për një kohë të gjatë. Do të jetë e fundit nëse nuk e shohim se kundërshtarët e dobët që kemi, e bëjnë pushtetin kundërshtarin tonë më të rrezikshëm”.

Kryeministri Edi Rama premtoi një qasje të re që siç tha ai jo vetëm qeveria, por dhe grupi parlamentar dhe strukturat e partisë socialiste do të duhet të kenë me njerëzit, duke i mëshuar reduktimit drastik të institucioneve dhe agjencive, përmirësimit të shërbimeve dhe emërimeve që siç premtoi, nuk do të duhet të bëhen më mbi bazën e njohjeve, miqësive apo lidhjeve familjare e politike.

Kreu i qeverisë foli dhe për marrëdhëniet me opozitën së cilës siç u shpreh do t’i shtrihet dora e bashkëpunimit, ndërsa uroi që marrëveshja e arritur mes tij dhe kreut demokrat Lulëzim Basha të mos ketë vdekur. “Unë uroj që me kryetarin e opozitës të vazhdojmë atë çka nisëm, pavarësisht dallimeve thelbësore, politike e programore, për të cilat natyrisht nuk do të ketë paqe nën degën e brishtë të ullirit që u mboll më 17 maj. Por për të mirën e vendit dhe shoqërisë që qartësisht e mirëpriti atë marrëveshje shumë çtensionuese".

Vetëm pak pas përfundimit të mbledhjes së Asamblesë ssocialiste, nga zoti Basha erdhi një reagim i ashpër. Sipas tij qeveria e prezantuar nga kryeministri, nuk përfaqëson “asgjë të re, por një vazhdim dhe thellim i së keqes, korrupsionit dhe krimit”. Përballë socialistët do të kenë dhe LSI-në, e cila pavarësisht bashkëqeverisjes në këto katër vite, është shfaqur me tone edhe me të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama. Kryetarja Monika Kryemadhi në një status në Facebook shkruante se “e vetmja gjë e re me këtë qeverisje të vjetër do të jetë fakti se Shqipëria po shkon drejt humbëtirës së pandalshme!”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG