Lidhje

Çështja e korrupsionit në Guatemalë


Në Guatemalë, Gjykata Kushtetuese urdhëroi qeverinë të mos zbatojë urdhrin e dhënë nga presidenti Jimmy Morales për të dëbuar nga vendi kreun e komisionit të OKB-së kundër korrupsionit, Iván Velásquez, që po heton dyshimet për pagesa të paligjshme të lidhura me partinë e presidentit, Fronti Kombëtar i Bashkimit.

Në një video të publikuar online të dielën, zoti Morales tha se Ivan Velasquez duhet dëbuar “bazuar në interesat e popullit guatemalas për të forcuar zbatimin e ligjit dhe institucionet."

"Është detyra jonë të ndalim presionet e paligjshme dhe jo kushtetuese si ato të bëra nga komisioneri Velasquez mbi organin legjislativ. E theksoj se komisioneri Velasquez i tejkaloi funksionet e tij pasi ndërhyri direkt në punët e brendshme që janë eksluzivisht për shtetin e Guatemalës, dhe e bëri këtë përmes Kongresit të Republikës."

Presidenti njoftoi gjithashtu se ka shkarkuar ministrin e Jashtëm Carlos Raul Morales pasi dështoi të kryente dëbimin.

Komisioni i OKB-së kundër korrupsionit, që po punon së bashku me zyrtarët ligjorë të qeverisë së Guatemalës, beson se zoti Morales ka shkelur ligjet e financimit të fushatës para se të zgjidhej në vitin 2015.

"Në cilësinë e tij si sekretar i partisë, pozicion që e mbajti para se të bëhej president, ai mund të ketë marrë kontribute në mënyrë anonime, nuk i ka deklaruar ato në regjistrimet financiare të organizatës politike dhe nuk ka lejuar Gjykatën Elektorale të përmbushë rolin e saj regullator dhe vëzhgues të financimeve private dhe publike përsa i përket financimit të organizatave politike dhe aktiviteteve dhe fushatave elektorale."

Për të vazhduar hetimin, komisioneri Velasquez tha se do të kërkojë heqjen e imunitetit të presidentit Morales.

Vendimi i gjykatës për të bllokuar urdhrin hakmarrës të presidentit Morales pritet ta detyrojë presidentin të heqë dorë nga veprimet e tij kundër komisionerit Velasquez ose të sfidojë gjyqtarët e lartë të vendit.

Të dielën në Uashington, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert tha se Shtetet e Bashkuara janë “thellësisht të shqetësuara” nga vendimi i zotit Morales. Shtetet e Bashkuara mbështesin komisionerin Velasques thuhet në deklaratë, si një drejtues i efektshëm i komisionit dhe se ai duhet të jetë në gjendje të punojë i lirë nga ndërhyrjet e qeverisë së Guatemalës."

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres tha se ishte i “tronditur” kur mësoi se presidenti Morales e kishte shpallur komisionerin Velásquez persona non grata.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG