Lidhje

Trump i përgjigjet Phenianit: Të gjitha opsionet janë në tryezë


Koreja e Veriut lëshoi sot një raketë që kaloi mbi Japoni duke zgjuar reagime të menjëhershme nga Tokioja dhe Seuli, si dhe një tjetër paralajmërim nga Presidenti Donald Trump. Sipas analistëve, prova e sotme ishte e ngjashme me planet që Pheniani kishte njoftuar më parë për të lëshuar raketë mbi ishullin e Guamit, pjesë e Komonuelthit Amerikan, por që më pas u anuluan. Besohet që kjo është prova e dytë e suksesshme me një raketë me rreze të mesme veprimi që mund të përshkojë distanca 3000 deri në 5000 km.

Raketa përshkoi një trajektore prej 2700 km, dhe arriti deri në 550 km lartësi, sipas Shtatmadhorisë koreanojugore. Japonia thotë se raketa kaloi mbi hapësirën e saj ajrore afro 10 minuta pas lëshimit, u shpërbë në tre pjesë dhe ra në Oqeanin Paqësor, në lindje të ishullit Hokaido.

“Akti i tyre indinjues me hedhjen e raketës mbi vendin tonë është një kërcënim i pashembullt dhe serioz që dëmton rëndë paqen dhe sigurinë në rajon,” tha kryeministri Shinzo Abe.

Trajektorja aktivizoi sistemet e alarmit për popullatën në Japoni.

“Nuk mund t’i shpëtosh duke vrapuar, ky është shqetësimi kryesor,” thotë një banor.

Ndërkaq, Presidenti Trump e kritikoi provën e fundit duke thënë se Pheniani ka dëshmuar edhe këtë herë se “përbuz fqinjët, të gjithë anëtarët e OKB, dhe standarded minimale të sjelljes ndërkombëtare”. Përmes një deklarate, presidenti përsëriti edhe këtë radhë se “të gjitha opsionet mbeten të hapura”.

Diplomati amerikan, Robert Wood, përfaqësues i Shteteve të Bashkuara në Konferencën e OKB për Çarmatimin, tha se aktet e Phenianit nuk do të dobësojnë angazhimet e Uashingtonit në mbështetje të aleatëve:

“Më lejoni të ritheksoj në adresë të përfaqësuesve të Koresë së Veriut se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara fuqimisht në mbrojtje të aleatëve të tyre. Shpresoj se Koreja e Veriut do të ndalë këto sjellje provokuese dhe do të dëshmojë vullnetin për të çarmatosur gadishullin korean”.

Seuli ka thënë se po punon me Shtetet e Bashkuara për një përgjigje të përbashkët ndaj hedhjes së raketës koreano-veriore.

Kina, aleantja më e fuqishme e Koresë së Veriut ka bërë thirrje për maturi dhe shmangien e akteve provokuese nga të gjitha palët. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze hodhi kritika direkte në adresë së Shteteve të Bashkuara dhe në përgjithësi të Perëndimit për mënyrën si e kanë trajtuar problemin:

“Dua të di nëse Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Koreja e Jugut i kanë bërë vetes këtë pyetje: pas raundeve të përsëritura me manovra të përbashkëta ushtarake nga forcat amerikane dhe koreano-jugore, pas shtimit të presionit ushtarak, a ndjehen tani më të sigurtë? A janë tani më pranë një zgjidhjeje paqësore të problemit bërthamor? Koha ka dëshmuar se presioni dhe sanksionet nuk zgjidhin rrënjët e problemit. Mënyra e vetme e drejtë është që të gjitha palët të ulen në një dialog të balancuar”.

Prova e fundit e Phenianit do të diskutohet sot në një sesion të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG