Lidhje

Astronautja amerikane Peggy Whitson përgatitet të kthehet në Tokë


Astronautja me përvojë, Peggy Whitson, po përgatitet për të lënë “banesën” ku ka jetuar për afro një vit. Deri sa të kthehet në tokë, astronautja do të ketë shënuar një total prej 665 ditësh në hapësirë. Pas disa muajsh konsumi të ushqimeve të konservuara në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, ajo mezi po pret të hajë një picë sapo të kthehet në Tokë.

Peggy Whitson ishte astronaute veteran që para se të nisej drejt hapësirës, nga stacioni i lëshimit në Baikonur të Kazakistanit nëntorin e vitit 2016 me kolegun e Agjencisë Evropiane të Hapësirës, Thomas Pesquet dhe kozmonautin rus Oleg Novitsky.

“Po shpresoja që “Soyuz” të ishte më e madhe, por duket njëlloj si herën e fundit”, ishte shprehur ajo para nisjes.

Kjo është hera e tretë që ajo shijon pamjet mahnitëse nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës. Në prill të këtij vitit, Whitson shënoi rekord për kohën më të gjatë të shpenzuar në hapësirë nga një astronaut i agjencisë NASA.

Në vitin 2008, ajo u bë gruaja e parë që komandonte stacionin hapësinor dhe në vitin 2017, ajo u bë gruaja e parë që e komandonte atë për së dyti. Ajo po ashtu ka shënuar rekord për ecjet më të shumta në hapësirë nga një grua.

Duke folur me telefon nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës me agjencinë e lajmeve Associated Press, Whitson thotë se e dashuron punën e saj.

“Më pëlqen të punoj këtu lart. Është një prej punëve më të lumtura që kam patur ndonjëherë. E gjithë puna që bëjmë në tokë është fantastike, por të jesh këtu lart dhe të jesh individi përgjegjës për mbajtjen gjallë të stacionit, edhe nëse kjo do të ishte thjeshtë pastrimi i filtrave, mua më sjell shumë kënaqësi.”

Whitson e filloi karrierën në NASA në vitet 80-të, kur anijet e hapësirës përdoreshin për transportimin e astronautëve. Ajo thotë se çdo ditë po bëhen zbulime të reja, dhe po thyhen rekorde.

“Çdo ditë është e rëndësishme për ne në bordin e stacionit. Është mbajtja gjallë e stacionit edhe për një ditë. Kemi vendosur një rekord të ri personal për stacionin në orbitë dhe prani të përheshme njerëzore, për më shumë se 17 vjet. Menondoj se është e mahnitëshme. Çdo ditë mësojmë diçka të re. Gjejmë se diçka funksionon ndryshe nga ç’prisnim.”

Në qershor të 2017 misioni i zonjës Whitson në bordin e stacionit u shty me tre muaj, ndërsa tani thotë se e ka marrë malli për ushqime si pica.

“Ka ndryshime me jetën në Tokë. Ushqimet tona përbëhen nga shumë artikuj hidratues, pra ushqime të cilave u kemi shtuar ujë. Kemi karkaleca dhe tërshërë. Ushqimet që janë disi normale janë rracionet që përdor ushtria...disa pako që i ngoh në furrë. Nuk janë shumë të mira por mësohesh. Ka kohë që dua të ha një picë.”

Me 24 prill 2017, presidenti amerikan Donald Trump e telefonoi astronauten për ta përgëzuar atë për vënien e rekordit për kohën e kaluar në hapësirë.

“Sot, komandantja Whitson, keni thyer rekordin për qëndrimin kohor më të gjatë në hapësirë nga një astronaut amerikan – 534 ditë dhe në vazhdim. Është një rekord i pabesueshëm dhe në emër të kombit tonë dhe sinqerisht në emër të botës Unë do të doja t’ju përgëzoja.”

Veterania 57 vjeçare thotë se hapësira është shumë e rëndësishme për agjencinë NASA dhe për botën. Deri sa të kthehet në tokë në shtator, ajo do të ketë qendruar 665 ditë në orbitë me mbi tre fluturime. Rekordi botëror 879 ditë mbahet mbahet nga rusi Gennady Padlka. Astronautja amerikane pritet të kthehet në Tokë me 2 shtator sipas kohës amerikane ose me 3 shtator sipas kalendarit në Kazakistan.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG