Lidhje

Ministri i jashtëm grek viziton Shkupin


Ministri i jashtëm grek Nikos Koxias zhvilloi sot një vizitë në Shkup ku me kolegun e tij maqedonas u angazhuan për ndërtimin e besimit mes dy vendeve. Vizita e zotit Koxias shihet si një hapje pozitive e komunikimit dypalësh, ndërkohë që zyrtarisht nuk ka afrim të pozitave mbi çështjen e pazgjidhur të emrit të Maqedonisë. Isak Ramadani njofton nga Shkupi.



Greqia dhe Maqedonia duket se po e thellojnë komunikimin për gjetjen e një rrugëdaljeje që do t’i ndihmonte Shkupit në proceset integruese. Por, ministri i jashtëm grek Nikos Koxias, i cili erdhi të enjten në Shkup nuk tha nëse ka një propozim në tryezë ose për gatishërinë për kompromis për zgjidhjen e problemit shumëvjeçar të emrit të Maqedonisë.

Megjithatë, zoti Koxias vlerëson se integrimi i të gjitha vendeve të Ballkanit në NATO dhe në BE do te ishte një lehtësim dhe do t’i kontribuonte zhvillimit të gjithë rajonit. Ai bëri thirrje për krijimin e besimit midis Greqisë dhe vendit fqinj verior.
“Por, anëtarësimi duhet të bëhet sipas parimeve dhe kushteve të përcaktuara”, tha kryediplomati grek, duke vënë në dukje standardet dhe kushtet që dalin nga Samiti i Bukureshtit.
Zoti Koxias vjen me ftesë të kolegut të tij Nikolla Dimitrov. Ai erdhi me makinë nga Selaniku për t’iu shmangur aeroportit të Shkupit, i cili prej para pak vitesh mban emrin “Aleksandri i Madh”, që nga Greqia fqinje shikohet si një provokim dhe përvetësim i vlerave historike dhe kulturore greke.

Ministri Koxias theksoi se Greqia nuk është për ndryshim të kufijve, por mbështetë garantimin e sovranitetit të shteteve dhe qytetarëve të tyre. As ai e as ministri maqedonas Dimitrov nuk thanë ndonjë gjë konkrete lidhur me hapat për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Zoti Dimitrov tha se është biseduar për këtë në aspektin e mënyrës së procesit dhe modalitetit të bisedimeve.
“Ia theksova shpresat ministrit Koxias që Greqia do ta njohë realitetin e ri në Maqedoni dhe dëshirën e sinqertë për miqësi”, tha Nikolla Dimitrov duke shtuar se pret mbështetjen greke për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Ministri maqedonas tha se vendi i tij ka shënuar përparim në marrëdhëniet e mira fqinjësore, duke nënshkruar marrëveshjen për fqinjësi dhe miqësi me Bullgarinë, se ka dhënë një impuls dhe dinamikë në marrëdhëniet me Kosovën dhe Shqipërinë dhe se pritet të mbahet një takim ndërqeveritar për herë të parë, ndërkohë që me Serbinë, siç tha, u ruajtën marrëdhëniet e mira dhe u dha një kahe pozitive pas ditëve turbulente javën e kaluar.

Në konferencën për mjetet e informimit nuk u fol për idenë që Maqedonia të pranohet në Nato me referencën FYROM, për Republika Ish-Jugosllave e Maqedonisë që është në përdorim ndërkombëtar.
Por, dy ministrat shprehën nevojën për thellimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, sigurisë, ndërsa paralajmëruan bashkëpunimin midis universiteteve të dy vendeve.

Ministri Koxias në Shkup u prit nga krerët më të lartë shtetërorë, ndërsa u takua edhe me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe atë të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski.
Ndërkohë, një grup i vogël protestuesish maqedonas ishte mbledhur para Ministrisë së jashtme duke hedhur parulla dhe akuzuar Greqinë për politikat shtypëse, sipas tyre, ndaj maqedonasve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG