Lidhje

Sfidat e zbatimit të ligjit të gjuhëve në Kosovë

  • Festim Gashi

Kosova ka ligjet më të përparuara të përdorimit të gjuhëve në rajon, por ka probleme në zbatimin e tyre. Anëtarët e një delegacioni nga Kosova, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara në kuadër të programit të “Open World Center”, thonë se mungesa e kapaciteteve njerëzore, teknologjike dhe financiare vështirëson zbatimin e ligjit të përdorimit të gjuhëve. Ata shpresojnë të mësojnë nga përvoja amerikane për të tejkaluar disa nga këto vështirësi. Grupi nga Kosova po njihen nga afër me praktikat më të mira të përkthimit dhe përshtatjes së dokumenteve dhe informacioneve publike për audiencat e larmishme gjuhësore dhe kulturore në Shtetet e Bashkuara. Kolegu Festim Gashi bisedoi me anëtarët e delegacionit gjatë një seminari në Uashington dhe përgatiti kronikën.

Pavarësisht kuadrit të mirë ligjor mbi përdorimin gjuhëve në Kosovë, përfaqësuesit e komuniteteve pakicë ankohen se ato shpesh nuk zbatohen. Anëtari i Partise Demokratike Turke të Kosovës, Enis Kervan thotë se komuniteti turk është i kënaqur me atë që ofrojnë ligjet por duhet më shumë punë në zbatimin e tyre.

“Natyrisht që baza ligjore ekziston, por gjithmonë kemi patur probleme me zbatimin e ligjeve. Disa institucione nuk insistojnë në zbatimin e ligjeve mbi përdorimin e gjuhës turke. Për shembull ligji për letërnjoftimet ekziston, por vetëm komuniteti turk e shfrytëzon. Sipas ligjit, të gjithë qytetarët e Prizrenit duhet të pajisen me dokumente identifikimi, letërnjoftime, çertifikata të lëshuara ku ekziston edhe mbishkrimi në gjuhën turke, por kjo nuk ndodh”.

Shqipja dhe serbishtja jane gjuhë zyrtare në Kosove, por përfaqësuesit e komunitetit serb shpesh ankohen se ligji për përdorimin e gjuhës serbe nuk po zbatohet në të gjithë vendin.

“Një nga sfidat kryesore në Kosovë është rritja e ndërgjegjes për respektimin e ligjit të gjuhëve në Kosovë. Por kjo nuk është vetëm një çështje e zbatimit të ligjit, por një e drejt njerëzore. Ne kemi të drejtë të përdorim gjuhën dhe alfabetin tonë”, thotë Sanja Vukoviç nga Këshilli për Komunitetet në Zyrën e Presidentit të Kosovës.

Institucionet qëndrore janë të detyruara me ligj që informacionet t’i publikojnë në të dyja gjuhët, duke e bërë më të lehtë qasjen në dokumentet e lëshuara nga këto institucione. Por në nivel komunal, zbatimi i ligjit të gjuhëve është më i vështirë sepse në disa komuna ka më shumë se dy gjuhë zyrtare. Komuna e Prizrenit ka katër gjuhë zyrtare dhe shpesh ka vonesa në përkthimin e dokumenteve zyrtare në gjuhët e pakicave.

“Kemi mungesa në kapaciteteve njerëzore, teknologjike dhe financiare për zbatimin e ligjit të gjuhës”, thote Gentiana Mahmuti nga Zyra e Kryeministrit për përdorimin e gjuhëve.

Zonja Mahmuti tha se qeveria e Kosovës ka hartuar një strategji për tejkalimin e këtyre problemeve.

Ndërsa, përfaqësuesja e Organizatës Open World Center, Yasmin Evans thotë se delegacioni i Kosovës gjatë qëndrimit në Sidër Rapids të Ajovës do të ketë shansin të shohë nga afër se si institucionet amerikane e trajtojnë çështjen e përdorimit të gjuhëve dhe qasjen në informacionet publike.

“Në Ajova ata do të njihen me sisteme të ndryshme të arsimit dhe komunikimit. Ata gjithashtu do të mësojnë mbi praktikat më të mira të përkthimit dhe përshtatjes së informacioneve të komplikuara për audiencat e larmishme kulturore dhe gjuhësore”.

Arif Adroviç, përfaqësues i komuniteti boshnjak në delegacionin e Kosovës, thotë se përvoja e tij në Amerikë mund ta ndihmojë atë të kontriubojë më shumë në thellimin e bashkëpuninimin mes komuniteteve në Kosovë.

“Në Amerikë jetojnë shumë komunitete nga rajone të ndryshme të botës dhe unë dua ta kuptoj se si ato bashkëpunojnë për të arritur rezultate. Në Kosovë kemi pesë ose gjashtë komunitete dhe bashkëpunmi mes tyre nuk është aq i mirë. Kjo e ngadalëson integrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian. Prandaj, komunitetet në Kosovë duhet të kenë një bashkëpunim më të thellë për të krijuar një të ardhme më të mirë për veten e tyre”.

Edhe anëtarët e tjerë të delegacionit janë optimistë se përvoja e tyre në Shtetet e Bashkuara do t’u ndihmojë atyre në përpjekjet për të përmirësuar bashkëpunimin mes komuniteteve dhe trajtimin e vështrësive në zbatimin e ligjit të gjuhës. Ata do të qëndrojnë tetë ditë në Ajova, shteti i cili ka krijuar një partneritet të ngushtë me Kosovën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG