Lidhje

Dalai Lama, thirrje për ndalimin e dhunës në Mianmar


Udhëheqësi shpirtëror tibetian në mërgim, Dalai Lama, po i bën thirrje përsëri fitueses së çmimit Nobel të Paqes, Aung San Suu Kyi, që t'i japë fund në mënyrë paqësore krizës me pakicën Rohinga.

Në një letër drejtuar udhëheqëses de fakto të Mianmarit, Aug San Suu Kyi, Dalai Lama iu referohet bisedave që ai ka patur me të pak vite më parë, duke i bërë thirrje të përdorë ndikimin e saj për të gjetur një zgjidhje ‘paqësore’ të problemit me komunitetin mysliman.

Në një kopje të letrës, siguruar nga shërbimi tibetian i Zërit të Amerikës, Dalai Lama shpreh gjithashtu zhgënjimin e tij që problemi duket se po përkeqësohet. Ai thotë gjithashtu se nuk ka dyshim se Buda do t’i kishte ndihmuar njerëzit e komunitetit Rohinga.

Ndërkohë, shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Zeid Ra'ad Al Hussein po kritikon gjithashtu qeverinë e Mianmarit që nuk i ka mbrojtur rohingasit.

"Qeveria e Mianmarit duhet të ndalë pretendimet se rohingat po u vënë zjarrin shtëpive të tyre dhe po shkatërrojnë fshatrat e tyre. Ky mohim i plotë i realitetit po shkakton dëme të mëdha ndaj qëndrimit të ndërkombëtarëve për një qeveri, e cila deri kohët e fundit përfitoi nga vullneti i mirë. I bëj thirrje qeverisë t’u japë fund operacioneve ushtarake, me përgjegjshmëri për të gjitha shkeljet që kanë ndodhur dhe të ndalë diskriminimin ndaj popullatës rohingase. U bëj thirrje autoriteteve të lejojnë zyrën time të ketë qasje ndaj situatës në vend."

Zoti Zeid tha gjithashtu se agjencia e OKB-së për refugjatët ka njoftuar se 270,000 njerëz kanë kaluar gjatë tre javëve të fundit në Bangladeshin fqinj. Ai tha se ishte i shqetësuar nga njoftimet se autoritetet e Mianmarit kishin vendosur mina tokësore përgjatë kufirit.

Rohinga është një pakice myslimane në Mianmar, një vend ku dominon besimi budist.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG