Lidhje

Qeveria e re, pas betimit mbledhja e parë


Në Shqipëri kryeministri Edi Rama dhe anëtarët e kabinetit të tij të ri bënë sot pasdite betimin pranë presidentit Ilir Meta, pasi kishin marrë më parë në mëngjes besimin e parlamentit. Në fjalën e tij në përfundim të ceremonisë, presidenti Meta vuri theksin në “rëndësinë e jashtëzakonshme të përshpejtimit të zbatimit të Reformës madhore në Drejtësi që të krijohen sa më shpejt institucionet e reja të drejtësisë, me qëllim forcimin e sundimit të ligjit, të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar por dhe të përmirësimit të klimës së biznesit në vend”.

Elementi i dytë në të cilin u ndal kreu i Shtetit ishte ai i procesit të integrimit europian të vendit, ndërsa shprehu besimin se “qeveria dhe opozita do të punojnë ngushtë për përmbushjen e reformave kyçe për çeljen sa më shpejt të jetë e mundur të negociatave për anëtarësim”. Zoti Meta uroi qeverinë që të ketë sukses dhe “në përmbushjen e gjithë përgjegjësive që ka qeveria në përballimin e sfidave për sigurinë kombëtare, në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar e çdo kërcënimi që vjen nga jashtë”.

Duke u ndalur te “roli kyç Shqipërisë për stabilitetin dhe progresin e të gjithë rajonit. Ndaj besoj – shtoi zoti Meta - se qeveria e re do të punojë përkushtim për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me fqinjët dhe të gjitha vendet e rajonit tonë, pasi vetëm përmes bashkëpunimit do të garantojmë një të ardhme europiane për të gjithë shqiptarët në rajon por dhe popujt e tjerë me të cilt nuk na lidh vetëm gjeografia”.

Menjëherë pas fotos së përbashkët me kreun e Shtetit, kryeministri dhe anëtarët e qeverisë së tij u drejtuan për në godinën e Këshillit të ministrave, ku nisi mbledhja e parë e ekzekutivit. Më herët, në mëngjes, një seance maratonë e cila zgjati mbi 21 orë, qeveria mori besimin e parlamentit me 78 vota në favor dhe 51 kundër programit dhe kabinetit të ri.

Në programin e tij kryeministri ka premtuar një rritje mesatare të ekonomisë me 4,5 përqind, e cila në mbyllje të mandatit parashikohet të arrijë në 5,5-6 përqind. Qeveria parashikon mbajtjen e investimeve publike në nivelin e 5 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, dhe zbatimin e programit “1 Miliard Euro”, i cili synon realizimin e projekteve kryesisht infrastrukturore falë formulës së Partneritetit Publik-Privat. Në prezantimin e program kryeministri foli për 220 mijë vende pune dhe një fazë të re në luftën kundër informalitetit.

Opozita u tregua e ashpër ndaj programit të paraqitur për diskutim. Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike, forca kryesore e opozitës u shpreh se “fletushka e programit të Qeverisë Ramadysh 2017-2021 ka vetëm 25 faqe, nga të cilat 7 faqe ose 30 për qind e dokumentit janë kopertina titujsh, tre faqe i përkasin përshkrimit të arritjeve të qeverisë Ramanjësh dhe vetëm 15 faqe programit të qeverisë, gjysmën e të cilave e zënë titujt e mëdhenj. Në fakt nuk është program – theksoi zoti Basha - Eshtë një dokument pa asnjë përmbajtje, pa asnjë analizë apo argumentim. Eshtë një dokument thjesht i fryrë më fjalë bombastike teknike dhe objektiva të përgjithshme dhe fraza të marra nga Google search”.

Me tone të forta kritike për katër vitet e shkuara por dhe për ato çfarë qeveria socialiste synon të arrijë në mandatin e dytë, ishte dhe qëndrimi i LSI-së, ish aleati i socialistëve. Sipas kryetares Monika Kryemadhi dokumenti për programin nuk ishte serioz “por vetëm ka gatuar shpejt e shpejt një program batutash, një fjalim arrogant, të shkruar keq, me gabime dhe lajthitje të shumta, provë e një padije të thellë. Mirëpo Kryeministri është kujdesur që programit të tij t’i qepë një kostum të ngushtë, që edhe e mbiquan një qeveri të vogël, duke qenë i kursyer në premtime, të cilat i kthehen fare kollaj mbrapsht. Kryeministri është kujdesur që të shkatërrojë edhe vetë debatin mbi programin, duke mos na paraqitur një program qeverisës të mirëfilltë. Me parimin: Si mund të diskutosh mbi një gjë që nuk ekziston?”.

Si PD-ja ashtu dhe LSI-ja kanë premtuar një opozitë të fortë ndaj qeverisë së re të kryeministrit, i cili sot në mëngjes u shpreh i keqardhur që “nuk bëra dot asnjë dallim mes fjalëve tuaja sot dhe atyre që thatë po këtu, 4 vjet më parë. Nuk çuditem as për këtë, mirë s’ më vjen që nuk e sfiduat dot për asnjë çast qeverinë e re, me artikulimin e qoftë e vetëm një gjëje të re”, u shpreh zoti Rama në mbyllje të debatit për programin e qeverisë së tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG