Lidhje

Ligji i mbetjeve, debate mes PS dhe opozitës

  • Armand Mero

Në Shqipëri është rikthyer debati për të ashtuquajturin ligj për importin e mbetjeve, i cili vitin e kaluar ju rikthye pas parlamentit nga presidenti i atëhershëm Bujar Nishani. Socialistët megjithatë njoftuan se do ta tërheqin nismën, pa shpjeguar se si. Por opozita këmbëngul se kjo do të ishte një shkelje e procedurave dhe se e vetmja mënyrë është që të votohet pro dekretit të president për ta rrëzuar ligjin.

Kur javën e shkuar parlamenti publikoi listën e projektligjeve të cilat do të duhet t’i nënshtrohen diskutimeve në komisionet e tij, gjatë javëve të ardhshme, përfshirja e dekretit të tetorit të vitit të kaluar të Presidentit Bujar Nishani me anë të së cilit ai rrëzonte ligjin që lejon importin e mbetjeve për qëllime riciklimi, rihapi debatet për këtë çështje. Kundërshtimi që aleati i tyre, LSI-ja shfaqi për ligjin e miratuar dhe me votat e saj, bëri që socialistët, gjatë parlamentit të kaluar, ta mbanin në sirtar dekretin, në pamundësi për ta hedhur poshtë me vota. Këtë herë, ndonëse i ka votat, shumica duket se dëshiron të evitojë një debat të ri, për një temë e cila është jo pak e ndjeshme.

Dje kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla përmes rrjeteve sociale njoftoi se shumica ka vendosur tërheqjen e ligjit për një debat publik shterrues. Këtë e konfirmoi sot edhe kryetari i komisionit të Veprimtarive prodhuese Eduard Shalsi: “Do të hapet një proces diskutimi I gjatë. Ka patur shumë aludime, hamendësime, abuzime, e manipulime të opinionit public. Gjithsesi është parë e arsyeshme që propozimi të tërhiqet”

Por për opozitën, propozimi i zotit Balla është në shkelje të procedurave, duke qenë se nuk bëhet më fjalë për një projektligj, por për një dekret të presidentit mbi të cilin parlamenti duhet të shprehet me votë, shpjegoi sot kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili: “Ka vetëm një moment procedurial, ku Presidenti e ka kthyer ligjin dhe i ka dhënë një mundësi të re maxhorancës të reflektojë, dhe detyra e maxhorancës fillon në zbatim të Rregullores, me shqyrtimin e dekretit të Presidentit, meqë nuk e ka vullnet pranimin e këtij dekreti, pra tërheqjen e ligjit për ripunim, dhe më tutje të eci përpara. Nuk ka asnjë mundësi Partia Socialiste juridikisht që të tërheqi një projektligj, sepse nuk është projektligj, por është ligj”.

Në të njejtën linjë duken dhe demokratët: “E vetmja mënyrë që ai projektligj të bjerë poshtë e të shkojë në vendin që meriton është të sillet e të votohet kundër nga deputetët”, u shpreh në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, deputeti Florion Mima.

Socialistët nga ana e tyre duket se ende nuk e kanë të qartë as vetë se si do të veprojnë: “Nuk jam në dijeni se si do të realizohet”, u shpreh zoti Shalsi.

Partia Demokratike kërkoi gjithashtu që të merrej në shqyrtim kërkesa e saj për organizimin e një referendumi: “Keni një kërkesë të opozitës, të legjislaturës së kaluar o dhe të sotme, e cila thotë se kjo cështje kaq madhore duhet t’i drejtohet shqiptarëve, me anë të një referendumi . Sillni të bëjmë të vlefshme kërkesën e opozitës për referendumin, lidhur me këtë çështje tejet të ndjeshme”, tha zoti Mima.

Edhe për LSI-në, përsa kohë kjo cështje nuk ka gjetur zgjidhje në parlament, referendum do të ishte zgjidhja më e mirë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG