Lidhje

Demokratët kërkojnë veprime ligjore për DACA-n


Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve po bëjnë thirrje për veprime të menjëhershme për 800,000 të rinjtë pa dokumenta që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara kur kanë qenë fëmijë, duke përdorur një lëvizje proceduriale të pazakontë që do të detyronte lidershipin republikan të hidhte në votë një projektligj për të zgjidhur statusin e tyre.

Demokrati i lartë në Dhomën e Përfaqësuesve, Steny Hoyer tha se është e rëndësishme të veprohet menjëherë.

"Ne duam të fillojmë sa më shpejt që të jetë e mundur pasi koha po kalon dhe duhet të veprojmë sa më shpejt për të lehtësuar ankthin dhe frikën e jashtëzakonshme që ekzistojnë jo vetëm mes këtyre 800.000 njerëzve, por edhe qindra mijëra dhe miliona të tjerëve që janë të shqetësuar për këtë çështje"

Demokratët u rreshtuan në korridoret e Dhomës së Përfaqësuesve duke pritur radhën për të nënshkruar një peticion për ta hedhur në votë aktin DREAM. Por nuk është e qartë në se ata do të mund të bindin një numër të mjaftueshëm kolegësh republikanë për të patur 218 firmat e nevojshme për ta hedhur projekt-ligjin në votë.

Në fillim të muajit, presidenti Donald Trump i bëri thirrje Kongresit për të gjetur një zgjidhje të përhershme për përfituesit e programit, pas shfuqizimit të masës së marrë nga administrata Obama për mbrojtjen e tyre.

Ligjvënësit nga të dyja partitë kanë theksuar publikisht mbështetjen e tyre për gjetjen e një zgjidhje të përhershme legjislative për të ashtuquajturit Ëndërrimtarët dhe anketat e opinionit tregojnë se amerikanët e mbështesin fuqishëm një veprim të tillë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG