Lidhje

Sessions dhe debati mbi lirinë e fjalës


Attorney General Jeff Sessions speaks to law enforcement officials about transnational organized crime and gang violence at the Federal Courthouse, Sept. 21, 2017, in Boston.

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions, e futi veten në një debat të zjarrtë mbi fjalën e lirë të martën, duke thënë para një audience në Universitetin Xhorxhtaun se “liria e shprehjes dhe e mendimit” është duke u sulmuar në kolegjet dhe universitetet amerikane.

“Ndërsa Universiteti Amerikan dikur ka qënë një qendër e lirisë akademike, një vend debatesh të fuqishme, një forum për konkurencën e ideve – ai po transformohet në një auditor që i bën jehonë korrektesës politike dhe mendimit homogjen, një strehë për egot e brishta”, tha zoti Sessions në fjalimin e përgatitur.

Vlerësimi i zotit Sessions vjen mes një debati që vazhdon në kampuset e kolegjeve lidhur me folës të debatueshëm që herë pas here tërheqin edhe protesta të dhunshme. Disa shkolla kanë anuluar fjalimet nën shqetësimet për sigurinë, duke ngjallur kritika nga mbështetësit e fjalës së lirë të cilët thonë se universitetet janë vende që nuk duhet t’i druhen debateve për çështje delikate.

Zoti Sessions përmendi sidomos një anketë të kohëve të fundit në 450 kolegje dhe universitete që tregon se “40 përqind prej tyre u përmbahen kodeve të shprehjes, që në thelb cënojnë lirinë e shprehjes e cila mbrohet me kushtetutë.”

Ai kritikoi universitetet për marrjen e vendimeve rreth asaj se “çfarë është ofenduese dhe çfarë është e papranueshme” si dhe për tërheqjen e ftesave për folës të debatueshëm.”

“Universiteti është institucion ku kërkohet të gjendet e vërteta, dhe jo imponimi i së vërtetës nga një censurë qeveritare”, tha zoti Sessions.

Zoti Sessions foli në Qendrën Xhorxhtaun për Kushtetutën, një institut akademik që ofron programe të ndryshme për ligjin kushtetues dhe teoritë, ku një theks i veçantë i vihet mënyrës më të mirë për të qënë besnik ndaj përmbajtjes së Kushtetutës.

Në takim ishin përjashtuar studentë dhe pjestarë të fakultetit që nuk kanë lidhje me qendrën, ndërsa një student i pakënaqur u shpreh se qendra synonte një pjesmarrje më simpatizuese për zotin Sessions.

Studentët dhe pjestarët e fakultetit thanë se kishin planifikuar të protestonin kundër pjesmarrjes së një prokurori të përgjithshëm konservator i cili është bërë një objekt kritikash nga liberalët lidhur me politikat e administratës së Presidentit Trump për marrëdhëniet ndër-racore, të drejtat civile dhe imigracionin.

Shoqata studentore e të Rinjve Demokratë Socialistë të Amerikës në Universitetin Xhorxhtaun njoftoi në Twitter se do të merrte pjesë në protestë.

Një ekip profesorësh thanë se edhe pse e kuptojnë të drejtën e zotit Sessions për të folur, ai nuk është njeriu i duhur për këtë temë.

“Prokurori i Përgjithshëm Sessions është një anëtar i rëndësishëm kabineti në një administratë të drejtuar nga një president që gjatë gjithë fundjavës denoncoi atletët e përfshirë në të drejtën e tyre të lirisë së shprehjes”, thoshte grupi përmes një deklarate të publikuar të hënën.

Fundjavën e kaluar, zoti Trump kritikoi lojtarët e futbollit profesionist amerikan se ishin ulur në gjunjë gjatë hymnit kombëtar që luhet para ndeshjeve, duke thënë se ata duhet të pushoheshin për mosrespektimin e flamurit dhe vendit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG