Lidhje

Rama-Haradinaj: të fitojmë kohën e humbur


Kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës deklaruan se kanë rënë dakort të përshpejtojnë hapat që do të mundësonin një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë mes dy vendeve. Kreu i Qeverisë së Kosovës Ramush Haradinaj zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Tiranë gjatë së cilës, ai dhe kryeministri Edi Rama u ndalën në tema konkrete. “Në mbledhjen e katërt mes dy qeverive, e cila do të mbahet më 27 Nëntor në Korçë fokusi do të jetë te fitimi i kohës së humbur”, deklaroi zoti Rama duke shpjeguar më pas se vitin e ardhshëm “do të nisë shembja e murit absurd” që hasin qytetarët e dy vendeve në kalimin e kufirit të përbashkët. Kryeministri Rama foli për “një kufi simetrik në ngjashmëri me kufijtë mes vendeve të BE, ku kontrollet nuk do të hiqen për fare, por do të jenë aq të rralla sa dikujt mund t’i bjerë të mos kontrollohet”.

Çështja e dytë e dakortësuar mes kryeministrave është ajo e unfikimit të tregut e cila sipas zotit Rama “duhet t’i paraprijë si model unifikimit të tregut rajonal”, për të cilin vendet e Ballkanit ranë dakort në takimin e Triestes korrikun e shkuar. E në këtë kuadër përfshihet dhe konkretizimi i “një procesi të mirëstudiuar e programuar të bashkimit doganor në portin e Durrësit, i cili nuk është vetëm porti i Shqipërisë por dhe shqiptarëve të Kosovës dhe është porti që duhet të kthehet në doganë të njehsuar mes dy vendeve”, shpjegoi zoti Rama. Vendimi për këtë pritet të finalizohet në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive.

Të dy kryeministrat ranë dakort gjithashtu për koordinim të përpjekjeve për të përfituar nga financimet e Procesit të Berlinit dhe Fondet IPA të Bashkimit Europian, ndërkohë që do të nisë konkretizimi për të patur seli të përbashkëta diplomatike e konsullore. “Kemi folur për një plan të përbashkët veprimi në funksion të ndërtimit të një fondi imobiliar shqiptar në Europë duke nisur nga kryeqendra e diplomacisë për t’u shtrirë më tej. Do të jetë një aset i përbashkët i të dy shteteve, që do t’u japin shqiptarëve një adresë”, theksoi zoti Rama.

Nga ana e tij kryeministri Haradinaj ritheksoi angazhimin e Kosovës për realizimin e të gjitha nismave të përbashkëta duke nënvizuar se “kemi pritur shumë vjet për t’u hapur me njëri-tjetrin. Tani është koha të mos presim më tutje”.

Një çështje e diskutuar mes palëve ka qenë dhe ajo e përcaktimit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Kryeministri Rama u shpreh se “e shohim me shqetësim çështjen e demarkacionit me Malin e zi ku është e domosdohme të gjendet rruga për zgjidhjen përfundimtare të një ngërçi që po krijon jo pak probleme me bashkësinë ndërkombëtare e cila mbetet garanti kryesor i Kosovës dhe një procesi ku Kosova duhet të ketë gjithnjë e më shumë miq, e nuk ka arsye të humbasë qoftë dhe një të vetëm”. Zoti Rama u duk se e nxiti homologun e tij kosovar të rishikonte pozicionin e mbajtur prej tij kur në opozitë ishte kundërshtar i marrëveshjes. “Ka një proces të natyrshëm fiziologjik, kalimi nga opozita në qeveri dhe kryeministri kërkon dhe pak kohë besoj që të ndahet nga pozicioni i opozitarit ndaj këtij problemi”, u shpreh zoti Rama në konferencën e përbashkët me kryeministrin Haradinaj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG